Mbytet në pus nëna e tre fëmijëve
Një grua, nënë e tre fëmijëve, është vetëmbytur në pusin e shtëpisë, dje në orët e para të mëngjesit, në fshatin Bushat të rrethit Shkodër. Ngjarja në fjalë ka ndodhur rreth orës 08:30, kur 43-vjeçarja Shpresa Sadiku ka gjetur një mënyrë mjaft makabre për t‘i dhënë fund jetës, duke u hedhur në pusin e shtëpisë. Sipas deklarimeve të familjarëve, viktima në mëngjes ka ndihmuar të shoqin te stalla e bagëtive dhe më pas ka dalë nga aty për t‘u hedhur në pus. Ky veprim ka qenë tragjik për nënën e tre fëmijëve, e cila brenda pak çasteve ka gjetur vdekjen. Me gjithë ndihmën që janë munduar t‘i japin familjarët, nuk kanë mundur të shpëtojnë nga vdekja njeriun e tyre. Po sipas deklarimeve të familjarëve, mësohet se 43-vjeçarja Shpresa Sadiku vuante prej kohësh nga sëmundje mendore dhe kjo mendohet të jetë bërë shkak që personi në fjalë të kryejë aktin e vetëmbytjes. Familjarët pohojnë se dhe herë të tjera viktima ka tentuar të mbysë veten me forma të ndryshme, por është ndalur nga pjesëtarët e shtëpisë. Duke parë situatën shëndetësore, njerëzit e afërt të viktimës janë mundur t‘i qëndrojnë pranë për t‘ia lehtësuar sëmundjen, por dhe për ta ruajtur nga veprimi vetëvrasës. Por në një moment Shpresa Sadiku i ka shpëtuar kujdesit të familjes dhe është hedhur në pus, ku dhe ka gjetur vdekjen. Policia në vendin e ngjarjes, pas kryerjes së veprimeve të para hetimore, e ka klasifikuar ngjarjen si vetëmbytje dhe kjo e provokuar nga gjendja shëndetësore e viktimës.