Firmat inerte "ndihmojnë" detin "të kafshojë" tokën
Gërryerja bregdetare vazhdon të përfshijë me shpejtësi pjesë të plazheve, pasojë e gërryerjes së shtratit të lumenjve nga firmat e inerteve. Gjithnjë e më pak materiale derdhen nga lumenjtë në detin Adriatik, duke diktuar kështu prishjen e një bilanci sedimentar të plazheve në favor të gërryerjes. Sipas specialistëve, janë disa dhjetëra metra tokë në të cilat ka përparuar deti ndër vite. Fenomeni është shfaqur gjatë tre dhjetëvjeçarëve të fundit, kryesisht në njërin krah të grykëderdhjes së lumit Erzen në Porto Romano, në veri të qytetit bregdetar. Deti në këtë pjesë ka gllabëruar nga sipërfaqja e plazhit dhe zgjeruar pushtetin e vet. Sipas dy gjeografëve shqiptarë, Perikli Qiriazi dhe Skënder Sala, gjatë harkut kohor 1979-1998 deti ka përparuar 1200 metra në veri të grykëderdhjes së Shkumbinit. Veprimtaria e firmave të inerteve ndër vite në shtretërit e lumenjve Erzen, Ishëm dhe Shkumbin çdo ditë e më tepër jep shenjat e pasojave të veta, drejt një gërryerjeje bregdetare ritmet e së cilës paraqiten të frikshme. Situata është shfaqur edhe në plazhe të tjera të Durrësit, kryesisht në atë të Rrushkullit dhe Shën Pjetrit në Ishëm, po dhe në plazhin e madh të Durrësit. Plazhet janë në krizë. Rëra në to mungon çdo sezon veror edhe më shumë. Madje specialistët e dukurisë thonë se përmasat e plazhit në perëndim të Kodrës së Durrësit, Currilave, janë më tepër se përgjysmuar. Brezi i rërës këtu është thuajse zhdukur, ndërsa valët përplasen në bregun argjilor. Ndër shkaqet kryesore të shkaktimit të dukurisë renditet edhe marrja e ujit nga lumenjtë për vaditje, si dhe rritja globale e ujërave. Ndërkohë, burime nga Drejtoria e Bordit Kullues të Durrësit thonë se fenomeni ka marrë përmasa alarmante dhe kërkon ndërhyrje serioze për të mbrojtur bregdetin, plazhet, turizmin, po dhe jetët tona.