Ndoka nxjerr urdhër: Analizat e meningjitit, brenda 24 orëve
Për të evituar përhapje të sëmundjes dhe kurimin e saj në kohë te të prekurit është kërkuar që sëmundje të evidentohet brenda 24 orëve. Ministri i Shëndetësisë, Nard Ndoka, ka kërkuar gatishmërinë e të gjithë sistemit shëndetësor. Ka udhëzuar drejtoritë rajonale për shqyrtim të gjendjes dhe parandalim të situatave të përhapjes së sëmundjes. Ndërkohë që me anë të një shkrese zyrtare ka kërkuar gatishmëri nga të gjitha bluzat e bardha, për sa u takon rasteve të meningjit. Për të evituar përhapjen e sëmundjes dhe kurimin e saj në kohë te të prekurit është kërkuar që kjo sëmundje, e cilësuar si noziologji e grupit A, të evidentohet në kohë rekord brenda 24 orëve në bazë të analizave. "Çdo rast i të sëmurëve që kanë shenja të përafërta me këtë sëmundje do të merret në konsideratë dhe do të ekzaminohet deri në detaj për të parandaluar një sëmundje të tillë, por dhe nëse do të ekzistojë të kapet në kohë për t‘u shëruar", sqaron urdhri. Drejtoritë e Shëndetit Publik në rrethe janë udhëzuar për masat e nevojshme lidhur me kapjen e hershme dhe menaxhimin e shpejtë të tri rasteve të dyshuara. Ndërkaq, Ministria e Shëndetësisë ka sqaruar se nuk ka vend për panik dhe nuk jemi në prag të një epidemie. "Rastet e shfaqura me meningjit nuk përbëjnë rrezik për epidemi", sqaroi dje në njoftimin zyrtar Ministria e Shëndetësisë. Autoritetet shëndetësore kanë marrë masat parandaluese duke informuar komunitetin dhe duke u dhënë personave të afërt të familjes medikamentin e rekomanduar në raste të tilla (rifampicinë). Zona është nën mbikëqyrje epidemiologjike, ndërsa është bërë dezinfektimi i ambienteve ku kanë qëndruar të izoluar pacientët. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, nuk është marrë dhe nuk rekomandohet ndonjë masë e karakterit të karantinës, apo çdo lloj mase që kufizon lëvizjen e lirë të qytetarëve.