E Diel, 1 Nëntor 2026

Bizneset: KESH të garantojë furnizimin

Bizneset kanë pranuar në heshtje tarifat e reja të energjisë elektrike, por i kërkojnë KESH-it të paktën furnizim 24 orë me energji elektrike. Duke përmendur faktin se rritja e tarifave të energjisë elektrike do të ndikojnë natyrshëm në rritjen e kostos së prodhimit, bizneset anëtare të "Konfindustria"-s deklarojnë të shqetësuara për faktin se institucionet përgjegjëse nuk po shprehin nëse garantohet apo jo furnizim pa ndërprerje të energjisë elektrike. "Duke kuptuar rritjen objektive të çmimeve, parë gjendjen e sotme të prodhimit të sistemit tonë energjetik dhe gjendjen e tregut ndërkombëtar, "Konfindustria" mendon se lëvizja e çmimeve të këtij malli strategjik duhet të jetë më profesionale, më e hapur dhe duke marrë parasysh shumë më tepër faktorë, përveç gjendjes financiare të KESH", tha Gjergj Buxhuku, administrator i KISH. Sipas tij, në rast se KESH nuk garanton furnizim 24 orë me energji elektrike, industritë duhet të vihen në dijeni të të dhënave përkatëse, për t‘u dhënë mundësinë e marrjes së masave lehtësuese në kohë, me qëllim që të mos përballen me situatën e krijuar vitin e shkuar. Por KISH, nga ana tjetër, ka inkurajuar KESH-in të mbledhë me forcë faturat e energjisë lëshuar për bizneset. "Rritja e çmimit duhet të vërë KESH-in në lëvizje për kontrollin e plotë të territorit të vendit dhe marrjen e masave të ashpra ndaj bizneseve, që nuk e paguajnë energjinë elektrike, sepse jo vetëm shkaktojnë dëm financiar për shtetin, por mbi të gjitha prishin konkurrencën në treg, duke vënë në vështirësi të mëdha industritë formale", shtoi Buxhuku. Tjetër kërkesë e tyre lidhet me krahasimin e tarifave të energjisë me vendet fqinje të rajonit, me të cilat biznesi shqiptar kryen shkëmbime tregtare. Sipas vlerësimit të KISH, tarifat aktuale i përafrohen atyre të vendeve të zhvilluara e të shtrenjta të BE-së. Rritja e tarifës së energjisë elektrike, duke nisur nga data 1 mars, ka prekur më së shumti industritë prodhuese, ndërsa furrat e bukës, nisur nga impakti social te konsumatori, nuk u përshinë në vendimin e ERE-së, duke i lënë të pandryshuara, 7 lekë për kilovat/orë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›