E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha-Gruevski, takimi zhvendoset në Bruksel

Incidenti i vizave mes Shqipërisë dhe Maqedonisë pritet të marrë zgjidhjen përfundimtare në Bruksel. Në mënyrë të papritur ndryshon kursi i takimit mes kryeministrave Berisha-Gruevski, i cili nuk do të zhvillohet në Tiranë, por në Bruksel, në fund të muajit shkurt, ku Maqedonia, Shqipëria dhe Kroacia do të raportojnë përpara ambasadorëve të NATO-s mbi reformat që kanë ndërmarrë për t‘u bërë pjesë e strukturave euroatlantike. Burime pranë qeverisë shqiptare, konfirmojnë për "Shqip" se Ministria jonë e Jashtme po vazhdon me përgjegjshmëri negociatat me Maqedoninë, por që përfundimi i tyre do të konkretizohet nga bisedimet Gruevski-Berisha në fund të shkurtit. Në bazë të vlerësimit që do të merret ditët e fundit të shkurtit, jo vetëm do t‘i jepet zgjidhje regjimit të vizave mes Maqedonisë dhe Shqipërisë, por do të varet edhe fati i secilit shtet për t‘u anëtarësuar ose jo në strukturat euroatlantike. Duke iu referuar axhendës së Kryeministrit Berisha, qëllimi i takimit mes dy krerëve të lartë të vendeve fqinje do të jetë çështja e aplikimit të vizave për shtetasit shqiptarë, bashkëpunimi mes dy vendeve, integrimet euroatlantike, si edhe Kosova. Pak ditë më parë, qeveria maqedonase ka pohuar se ligji për regjimin e vizave me Shqipërinë do të rishikohej. Zëdhënësi i qeverisë maqedonase, Ivica Bocesku, ka bërë me dije se Shkupi zyrtar do të rishikojë këtë ligj, në mënyrë që të kapërcehet situata e krijuar me Shqipërinë. Mësohet gjithashtu se ky vendim do të shqyrtohet në mbledhjen e parë të qeverisë maqedonase, e cila do të zhvillohet ditën e sotme. Por, gjithsesi, vendimi i sotëm në Maqedoni nuk do të jetë përfundimtar. Ai vetëm sa do të sqarojë pozicionin e qeverisë maqedonase mbi çështjen e pajisjes me viza të qytetarëve shqiptarë, ndërkohë që një marrëveshje përfundimtare, pala maqedonase, pret ta arrijë në takimin e muajit shkurt mes kryeministrave Gruevski dhe Berisha. Marrëveshja finale mbi të gjithë çështjen do të arrihet gjatë takimit mes dy kryeministrave muajin e ardhshëm. Si kundërpërgjigje e deklaratave të zyrtarëve serb, Ministria e Punëve të Jashtme ka bërë me dije se, në përputhje me parimet e fqinjësisë së mirë, qeveria shqiptare ka synuar dhe synon lehtësimin e procedurave, zgjerimin e hapësirave të komunikimit deri në liberalizim të plotë të qarkullimit. "Në këtë këndvështrim, vendimi i qeverisë shqiptare, nr. 545, datë 9.08.2006, për heqjen e vizave për të gjithë shtetasit maqedonas, shkon pikërisht në këtë drejtim, duke e vendosur Maqedoninë në radhën e atyre vendeve me të cilat Republika e Shqipërisë aplikon një regjim tërësisht të liberalizuar qarkullimi. Ky vendim, jo vetëm që nuk ka dëmtuar qytetarët e Maqedonisë, por, përkundrazi, përbën një zgjerim të hapësirave vepruese të marrëveshjes dypalëshe për regjimin e vizave nënshkruar në vitin 1997. Kjo marrëveshje është në fuqi, pasi nuk është shfuqizuar nga asnjëra palë", thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme shqiptare.

Sipas saj, në këtë frymë, Kuvendi i Shqipërisë, më 9.07.2007, mori edhe vendimin e uljes në 1 euro të tarifës hyrëse në pikat tokësore e ujore të kalimit kufitar, e vlefshme edhe për të gjithë qytetarët e Maqedonisë, pa dallime. Ajo që duhet të kenë parasysh dy vendet fqinje, në veçanti Maqedonia, është se këto dy shtete janë tërësisht të përfshira në proceset integruese euroatlantike dhe mbajnë parasysh detyrimet e tyre në këtë kuadër.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›