Topi takon kreun e masonëve francezë
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka pritur dje paradite në një takim Presidentin e Orientit të Madh të Francës, Zhan Mishel Kijarde. Sipas njoftimit të zyrës së shtypit të Presidentit, kreu i shtetit ka bërë një vlerësim historik të marrëdhënieve të Shqipërisë me Francën dhe e njohu Kijarde me zhvillimet e fundit demokratike në shoqërinë shqiptare, proceset e rëndësishme reformuese të saj si pjesë e strategjisë kombëtare euroatlantike të vendit. Kijarde ka falënderuar Presidentin Topi për pritjen dhe e njohu atë me aktivitetin humanist të Orientit të Madh të Francës, në drejtim të zhvillimit të vlerave të lirisë, tolerancës, barazisë, vëllazërisë dhe laicitetit. Gjatë takimit janë shkëmbyer mendime rreth zhvillimeve të fundit në rajon, e sidomos rreth procesit të statusit të pavarësisë së Kosovës.