E Diel, 1 Nëntor 2026

PS: Berisha, 85 ditë punë në terren

Kryeministri Sali Berisha ka kaluar në terren vetëm 10% të ditëve të tij të punës. Ky është konstatimi i dhënë nga Partia Socialiste, në vëzhgimin që ajo i bën punës së kreut të qeverisë. Shkas për këtë deklaratë të bërë nga nënkryetari i grupit parlamentar socialist ishin vizitat e fundit të Kryeministrit në kuadër të inspektimeve të rrugës Durrës-Kukës. Sakaq, nga vëzhgimi ynë rezulton se kampion në daljet në terren gjatë të njëjtës kohë ka qenë kreu i socialistëve, Edi Rama. Turi "Dialog me Shqipërinë" duket t‘i ketë dhënë atij shansin të rivalizojë me Berishën edhe në këtë aspekt të garës politike. Duke mundësuar kështu që ai të pozicionohet disa hapa para në krahasim me rivalin.

Konstatimi

"Kryeministri ynë i ka të rralla këto ditë pune, për të mos thënë që në vëmendjen tonë, vetëm 10% e ditëve të qeverisë së tij i ka kaluar me punë në terren", u shpreh Erion Braçe. Që nga shtatori i vitit 2005, kur dha dorëheqjen ish-kryeministri Fatos Nano dhe deri më sot, kanë kaluar afro 850 ditë. Kohë kjo që është e barasvlershme me vitet që kur në krye të qeverisë janë demokratët dhe Kryeministri Sali Berisha. Pra, sipas një llogaritjeje të thjeshtë, socialistët pretendojnë se gjatë kësaj kohe numri i ditëve që Berisha ka realizuar punë në terren shkon rreth 85. Duket qartë se partia më e madhe e opozitës nuk i quan punë në terren oraret zyrtare të punës. Një element ky për të cilin lideri i shumicës aktuale është shquar në vazhdimësi, që nga periudha kur ishte në opozitë. Madje, shumë e pranojnë se kreu i së djathtës frekuenton zyrën edhe ditëve të diela, kur administrata shtetërore është pushim. Veprim që gjithashtu e bënte dikur kur drejtonte pakicën parlamentare. Sakaq, një prej personazheve më të sulmuar për axhendën e aktivitetit politik është ish-kryeministri Fatos Nano. Në kohën kur ishte në detyrë është debatuar publikisht për udhëtimet e tij turistike dhe faktin se drejt terrenit udhëtonte rrallë. Duke mbetur për shumë kohë si Kryeministri që përdorte linjat ajrore jashtë vendit më shumë se çdo drejtues tjetër i shtetit.

Rekordi

Siç mund të pritet, personazhi që gjatë këtyre dy viteve ka kaluar më shumë kohë në terren është kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, njëkohësisht kreu i Bashkisë së Tiranës. Rezulton që ai të ketë shëtitur në një numër jashtëzakonisht të madh fshatrash dhe qytetesh. Në kuadër të turit të tij, "Dialog me Shqipërinë", në pak kohë kreu socialist ka vizituar tre apo më shumë herë të njëjtin vend. Veprim për të cilin ai ka marrë mbështetje edhe nga disa prej atyre që cilësohen si shtylla të Partisë Socialiste. Namik Dokle e Gramoz Ruçi, në më shumë se një herë kanë nënvizuar faktin se gjatë gjithë jetës së tyre partiake nuk kanë shkelur kaq shumë vende sa Rama në dy vite. Itinerari i Ramës pritet të vijojë edhe për disa muaj deri në përgatitjen e programit qeverisës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›