PDS: Një qeveri ekspertësh për të realizuar reformat
Partia Demokracia Sociale kërkoi krijimin e një qeverie që të mund të garantojë realizimin e reformave. Sekretari politik dhe për marrëdhëniet me publikun, Artur Duçkallari, vlerësoi se është detyrë urgjente e mazhorancës riformatimi i qeverisë. "Në përputhje me kapacitetet dhe standardet që domosdoshmërish kërkohen për të përmbushur realizimin e suksesshëm të këtyre reformave, ekip nuk do t‘i zhgënjente sërish shqiptarët vetëm me programet dhe premtimet elektorale që do të bënte", nënvizoi Duçkallari. Nëse kjo nuk do të bëhet, PDS-ja thotë se zbatimi i këtyre reformave do të vihet në dyshim dhe kësaj qeverie nuk do t‘i mbetej gjë tjetër veçse të zvarritet duke shkaktuar një sërë krizash me një kosto edhe më të madhe dhe që do t‘u rëndonte të gjithë shqiptarëve, derisa ajo të dorëzohej në përballjen politike të 2009-ës. Partia Demokracia Sociale vlerëson se mbështetja për realizimin e reformave të rëndësishme, sidomos ato zgjedhore dhe në drejtësi, si kusht kryesor për të siguruar ftesën për anëtarësimin në NATO në samitin e ardhshëm të Bukureshtit, është njëra anë e problemit. Ana tjetër është shumë më e rëndësishme, është zbatimi i këtyre reformave në praktikë, konstaton PDS, pasi në Shqipëri ka pasur dhe ka një kontradiktë, në faktin se miratohen ligje të standardeve evropiane, por zbatimi i tyre bëhet larg këtyre standardeve. "Vërtet Parlamenti do të miratojë Projekt-Rezolutën e Partisë Socialiste për anëtarësimin në NATO, ku premtohet bashkëpunim për reforma konsensuale, por ne kemi mjaft arsye të dyshojmë se ky proces mund të ngecë ose të zvarritet", u shpreh drejtuesi i PDS-së. Ndërsa insistoi se këto dyshime bazohen para së gjithash në faktin se ende nuk ka projekte konsensuale të paraqitura nga PD e PS, për dy reformat e mëdha, por që të kenë edhe miratimin e partive të tjera parlamentare. "Demokracia Sociale është deklaruar e gatshme për mbështetje, por nga ana tjetër mendon se për të realizuar dhe zbatuar këto reforma, nevojitet detyrimisht një qeveri e aftë, e përgatitur dhe e përgjegjshme që t‘i bëjë realitet ato".