E Diel, 1 Nëntor 2026

Durrës, socialistët mbledhin tryezë për mjedisin

Partia Socialiste zhvilloi së fundmi tryezën e mjedisit në qytetin e Durrësit. Sekretari për çështjet e mjedisit, Besnik Baraj, u ndal në domosdoshmërinë e përfshirjes së ekspertëve të mirëfilltë në hartimin e programit të PS për qeverisjen e ardhshme. Deri më sot, sqaroi ai, aspektet mjedisore kanë qenë jashtë vëmendjes së qeverive të ndryshme. "Ne duhet të kalojmë nga inflacioni i fjalëve, strategjive e programeve, në realizimin konkret dhe real të tyre", tha Baraj. Sipas tij, kjo mund të bëhet e mundur nëse komponentja mjedisore bëhet pjesë e politikave qeverisëse; nëse ajo do të mbështetet fuqishëm me mjete financiare; nëse të gjithë faktorët shoqërorë në Shqipëri, ato qeveritare, media, shoqëria civile dhe mekanizmat e edukimit do të integrohen e do të mendojnë seriozisht për këtë çështje. "Në këtë proces janë të ftuar të gjithë ata që seriozisht mendojnë për këtë vend, pa dallim ngjyrimi politik. Mjedisi nuk duhet të politizohet, të gjithë kërkojmë një ajër, ujë dhe ushqime më të shëndetshme", u shpreh Baraj. Sakaq, Vlash Gremi bëri një ekspoze të problematikës së Qarkut të Durrësit, ku me foto e fakte konkrete demonstroi situatën e rëndë mjedisore. Ai u ndal në problemet e hot spoteve si Porto-Romano, vendin e grumbullimit të plehrave, që është jashtë të gjitha standardeve dhe kushteve normale, ku bashkëjetojnë njerëzit, kafshët dhe plehrat. Sipas tij, trajtimi i ujërave të zeza përbën një problem mjaft kritik për Durrësin. Sakaq, niveli i ngarkesave mikrobiale në ujërat e bregdetit kapërcen disa herë atë maksimal të lejuar sipas standardeve të BE-së. "Është kjo arsyeja që punonjësve të ambasadave, apo trupave të NATO-s, u është rekomanduar nga ekspertët e tyre që të mos lahen në këto ujëra", u shpreh Gremi. Xhemal Mato shtroi mendimin se ne po dështojmë me politikat mjedisore dhe kjo për arsyen e thjeshtë se problemet mjedisore kanë ardhur duke u agravuar, burimet natyrore duke u agravuar. Sot ne po krijojmë borxhe të mëdha në kurriz të mjedisit, që fëmijët tanë duhet t‘i paguajnë. Në fjalën e tij, Ethem Ruka foli për hapin e rëndësishëm që është marrë në krijimin e Ministrisë së Mjedisit dhe hartimin e mjaft ligjeve, por kjo është e pamjaftueshme. Duhet mbështetje me burime njerëzore e mekanizma të tjerë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›