Drejtësi, duel Alibeaj-KLD për kompetenca
Institucioni që drejton gjyqësorin në vend, pikërisht Këshilli i Lartë i Drejtësisë, ka kërkuar nga Kuvendi që në ligjin e ri ky institucion të ketë më shumë kompetenca. Megjithëse kjo kërkesë është mirëkuptuar në parim, ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, ka tentuar "t‘u vërë fre" orekseve të KLD-së, duke theksuar se duhet një balancim i pushteteve mes ekzekutivit, pra Ministrisë së Drejtësisë dhe KLD-së. Nënkryetari i këtij institucioni, Kreshnik Spahiu, deklaroi dje para deputetëve, anëtarë të Komisionit të Ligjeve, se "një pjesë e sistemit gjyqësor duhet të shkëputet nga politika dhe kjo bëhet duke i dhënë më shumë kompetenca KLD-së". Prej disa ditësh, Komisioni i Ligjeve ka marrë në shqyrtim projektligjin për organizmin e pushtetit gjyqësor dhe për rrjedhojë po dëgjon mendimet e të gjitha grupeve të interesit. Dje është dëgjuar KLD-ja, ku përfaqësuesit e saj kanë kërkuar që inspektorati që kontrollon veprimtarinë e gjyqtarëve të kalojë në varësi të tyre. Gjithashtu, nënkryetari i KLD-së, Spahiu, ka kërkuar që propozimet e kryetarëve të gjykatave të mos jenë më vetëm ekskluzivitet i Ministrisë së Drejtësisë. "Ndoshta në këto momente vendimmarrja parlamentare duhet të jetë e përgatitur për t‘i dhënë fund dualitetit të inspektimit dhe kontrollit paralel të Ministrisë së Drejtësisë e KLD-së. Një gjë është e qartë, tendenca shkon drejt unifikimit të një inspektimi, të një ekipi kontrolli që vlerëson veprimtarinë e gjyqtarëve dhe ky grup kontrolli e inspektimi të orientohet dhe të unifikohet drejt institucionit kushtetues e qeverisjes gjyqësore, që është KLD-ja", është shprehur nënkryetari i KLD-së, Spahiu. Propozim ky, që ka hasur në kundërshtinë e ministrit të Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, i pranishëm edhe ky dje në Komisionin e Ligjeve, i cili me argumentet e tij, ka theksuar se kjo gjë nuk mund të ndodhë. "Mund të them se kjo e drejtë e ministrisë për të propozuar masat disiplinore duhet të shtohet akoma më tepër dhe është një çështje e cila mund të diskutohet. Atëherë, KLD-ja është organi që do të mbrojë gjyqtarët nga të gjitha influencat politike, po cili do të jetë ai që do të mbrojë palën tjetër të kësaj marrëdhënieje, qytetarët. Pra, i bie që të jetë ekzekutivi, por që ky ekzekutiv të mos bëhet abuziv ndaj gjyqtarëve, duhet të disiplinohet", është shprehur ministri Alibeaj. Propozimet e KLD-së kanë shkaktuar përplasje edhe mes përfaqësuesve të mazhorancës dhe opozitës, anëtarë të Komisionit të Ligjeve. Deputetët e opozitës janë shprehur të hapur për të mirëpritur amendamentet e propozuara nga KLD-ja dhe grupet e tjera të interesit. "Ajo që më duhet mua të them, është se jam në këtë tavolinë për të punuar me shumë përgjegjshmëri për projektin që kemi në diskutim dhe do të propozoja që ne ta vazhdonim paralelisht dialogun me grupet e interesit dhe në mënyrë të veçantë me misionet përfaqësuese të pushtetit gjyqësor. Kalimi i vetëm i një projekti të tillë i paunifikuar dhe harmonizuar me pjesët e tjera të legjislacionit, nuk do të bënte gjë tjetër veçse do të krijonte probleme", është shprehur nënkryetari i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafa. Por, qëndrimi i nënkryetarit socialist të komisionit Xhafa është kundërshtuar nga kryetari i komisionit, deputeti i PD-së, Fatos Beja. Pas këtyre debateve, komisioni ka vijuar punën pa praninë e mediave, ku kanë diskutuar dhe miratuar 8 nenet e para të projektligjit, në bazë të relacioneve të sjella nga grupi i punës, të cilët janë anëtarë të komisionit.