Mazhoranca miraton rezolutën e Ramës për NATO-n
Komisioni i Jashtëm ka miratuar dje me unanimitet projektrezolutën e Partisë Socialiste në lidhje me anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Projektrezoluta u paraqit para pak ditësh nga kryetari i PS-së, Edi Rama, dhe u pranua nga Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e cila i kërkoi Komisionit të Jashtëm ta merrte menjëherë në shqyrtim. Gjatë mbledhjes së djeshme të Komisionit të Jashtëm Parlamentar, deputeti socialist, Namik Dokle, është shprehur se "për çështje të mëdha, siç është integrimi në NATO apo në BE, shumica dhe opozita duhet të bashkëpunojnë, duhet të kapërcejnë ato elemente të konfliktualitetit, i cili është i panevojshëm, pasi konsensusi për çështje kaq madhore ka të bëjë me perspektivën e gjithë shqiptarëve dhe jo të forcave politike të veçanta".
Gjithashtu, është shprehur Dokle, kjo nismë vjen tani, pasi në prill pritet ftesa për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe duhet të inkurajohet Këshilli i Ambasadorëve dhe organet e tjera vendimmarrëse për këtë çështje. "Ne ndërmorëm këtë iniciative që të angazhohet Kuvendi dhe nëpërmjet Kuvendit të angazhohen të gjitha institucionet përkatëse të Shqipërisë për të ndërmarrë nisma të tjera, në mënyrë që të garantohet ftesa për në NATO në Samitin e Bukureshtit", është shprehur Dokle. Në të njëjtën linjë mendimi për bashkëpunim dhe konsensus ka qenë edhe kryetari i Komisionit të Jashtëm, Preç Zogaj. Ai ka theksuar se "anëtarësimi i Shqipërisë në NATO është një interes madhor i kombit shqiptar, rrjedhimisht i të gjitha partive politike parlamentare, madje edhe atyre jo parlamentare; është një interes që përfshin çdo akt që synon bashkëpunim, konsensus për reforma të mëdha dhe kjo rezolutë është ilustrim i kësaj filozofie". Dëshira dhe urimi ynë, u shpreh Zogaj më tej, është që të mos mbetet vullneti thjesht i shprehur në letër, por të gjejë shprehje konkrete në komisionin zgjedhor dhe në komisionin për reformën në drejtësi, dy reforma shumë të rëndësishme në axhendën e politikës dhe të institucioneve shtetërore, nga ku varet edhe ftesa për anëtarësim.