E Hënë, 2 Nëntor 2026

Berisha: Pasaportat e reja për lehtësimin e vizave para 2009-ës

Qeveria premton se do të ketë gati kartat e identitetit, pasaportat dixhitale dhe regjistrin e gjendjes civile e sistemin e ri te adresave para zgjedhjeve të 2009-ës. Kryeministri Berisha e ka cilësuar këtë prioritet si kryesorin në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar demokrat. Duke u ndalur në rëndësinë e pajisjes së qytetarëve me dokumente identifikimi të një cilësie dhe sigurie të lartë, Kryeministri Berisha sqaroi se qeveria i ka shpallur këto procese si përparësi kryesore për faktin se ato lidhen me zgjerimin e lirive të shqiptarëve, lëvizjen e tyre të lirë dhe me zgjedhjet. Kryeministri siguroi se procesi është ndjekur me përqendrimin më të madh nga një grup i posaçëm Task-force, i kryesuar nga zëvendëskryeministri dhe i përbërë nga ministri i Brendshëm dhe një grup i gjerë drejtuesish e ekspertësh. "Është një gjë shumë e madhe t‘u japim shqiptarëve dokumentin e identitetit të njëjtë dhe ndër më të mirët, që kanë qytetarët evropianë. Kjo ka vlerë të jashtëzakonshme për lëvizjen e lirë, sepse realisht së shpejti priten zhvillime pozitive edhe në këtë drejtim, përveç lëvizjes së pjesshme që ka funksionuar dhe funksionon, por do të ketë liberalizim të plotë, i cili kërkon normalisht dokumente me integritet të lartë, të cilësisë së lartë dhe ne do t‘i pajisim shqiptarët me këto dokumente", nënvizoi Kryeministri Berisha. Ai theksoi se zgjedhjet e ardhshme duhet të bëhen me dokumente të reja. Kryeministri Berisha u shpreh se procesi i dixhitalizimit të regjistrit të Gjendjes Civile dhe projekti i adresave të reja po ecën me ritme të mira. "Është siguruar edhe soft-i, dhe ekspertët austriakë do të ndihmojnë në përshtatjen e tij dhe çdo gjë po ecën sipas projektit të parashikuar. Paralel me këtë është projekti i adresave të reja që do të shfrytëzojnë ZIP Kodin e akorduar nga Agjencia Ndërkombëtare e Postave dhe Telekomunikacionit. Kjo reformë dhe këto procese ne i kemi të shpallura përparësi më madhore, sepse kanë të bëjnë me liritë e qytetarëve shqiptarë, me lëvizjen e lirë, kanë të bëjnë me zgjedhjet", deklaroi Kryeministri Berisha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›