E Diel, 1 Nëntor 2026

Prokuroria kërkon 21 vjet burg për çiftin nga Maqedonia

Një çift bashkëshortësh, i cili është kapur rreth 1 vit me parë me një sasi prej 7 kg droge të tipit heroinë rrezikon një dënim prej 21 vjetësh burg në total. Prokurori i çështjes ka lexuar dje konkluzionet përfundimtare të akuzës në procesin gjyqësor ndaj Sadetin Elezit dhe gruas së tij, Nulifer Elezi, që po zhvillohet në Gjykatën e Krimeve të Rënda në kryeqytet. Ai ka kërkuar shpalljen fajtorë të bashkëshortëve dhe dënimin e tyre respektivisht me 11 vjet për Sadetinin dhe 10 vjet për Nuliferin. Të dy të pandehurit e kanë pranuar fajin dhe kanë kërkuar procedimin me gjykim të shkurtuar, nga i cili do të mund të përfitojnë uljen e 1/3 të dënimit.

Çifti nga Maqedonia kishte hyrë në territorin shqiptar përmes pikës së kalimit kufitar të Qafë-Thanës me makinën e tyre të tipit "Alfa Romeo" me targa SK 564 RB. Heroinën ata e kishin fshehur në sediljet e makinës dhe sipas akuzës po e dërgonin për ta shitur te një person në Fier. Por nuk kanë mundur të arrijnë në destinacion, pasi janë arrestuar nga policia në unazën e jugore të qytetit të Elbasanit pranë kryqëzimit të Krastës. Sipas akuzës, çifti Elezi vetëm brenda 6 muajve të periudhës nëntor 2006 - maj 2007, ka hyrë në Shqipëri nëntë herë me makina të ndryshme që dyshohet se mund të kenë transportuar edhe lënë narkotike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›