E Diel, 1 Nëntor 2026

Nanoistët të çorientuar përballë nismës së Metës "E majta për integrim"

Mbështetësit e ish-kryetarit socialist, Fatos Nano, duken të çorientuar përballë lëvizjeve të fundit të së majtës. Ndonëse kishin nisur një lëvizje brenda partisë, ata nuk duken aspak kompaktë për sa i takon koalicionit "E majta për Integrim", propozuar nga Meta. Nano është parë dje të drekojë në mes të kryeqytetit, në ambientet e restorantit "Piazza". Në të njëjtën kohë është parë të dalë nga ky ambient ambasadori italian, Saba D‘Elia. Gjithsesi, nuk dihet nëse ish-kryeministri ka qenë në drekë me përfaqësuesin e shtetit italian në Shqipëri apo jo. E teksa drekon në kryeqytet, Nano prej muajsh nuk është më aktiv në skenën politike. Duke lënë në mes një lëvizje që e lançoi me të madhe, ai ka shkaktuar edhe një çorientim të frontit të tij. Një prej atyre që i dolën ndër të parët në krah, Petro Koçi, nxitoi para pak ditësh të deklarojë distancim nga Nano dhe bashkëpunim me Metën. Që prej këtyre deklarimeve publike, Koçi nuk është parë më të artikulojë diçka konkrete dhe telefoni i tij rri i mbyllur. Të tjerë mbështetës të ish-kryetarit në parti e cilësojnë qëndrimin e Koçit si diçka individuale dhe që nuk ka lidhje me lëvizjen për politikë institucionale. Në grupin e gjashtë deputetëve që votuan Bamir Topin janë shënuar humbjet e para, me largimin e Paulin Sterkajt drejt PR-së dhe të Hamit Kostës drejt PDK-së. Të qëndrueshëm, por ende të pakuptueshëm në lëvizjet e mëtejshme mbeten Taulant Dedja, Durim Lamaj, Durim Hushi dhe Bukurosh Stafa. Ndërsa kreu i LSI-së, Meta, po avancon me deklarimet e zbutura ndaj ish-kryetarit socialist, Fatos Nano, mbështetësit e këtij të fundit mbeten në udhëkryq. E njëjta çoroditje duket të jetë përcjellë edhe në bazën socialiste. Situatë që po e shfrytëzon kreu i LSI-së për të shkëputur komuna dhe anëtarësi nga Partia Socialiste. Elemente që natyrshëm janë të pakënaqur me drejtimin aktual të partisë nga Edi Rama dhe mbështetësit e tij. Nuk dihet nëse Nano po studion terrenin për t‘u rikthyer në debatin politik pas zhvillimeve të fundit apo thjesht po ndjek në largësi atë çka po ndodh, duke i lënë Ramën e Metën të konfliktuohen më tutje. Pak ditë më parë, kreu i LSI-së deklaroi publikisht se mund të bashkëpunonte edhe me Fatos Nanon për sa i takon reformës zgjedhore. Që përtej kësaj duket se është kthyer në një betejë personale për Metën përballë socialistëve dhe Edi Ramës. Teksa Nano rri në heshtje, nuk dihet nëse për shumë kohë apo për pak afrimi i zgjedhjeve dhe listat e deputetëve kanë vënë në qëndrim të lëkundur mbështetësit e tij në parti. Por nëse i referohemi deklarimit të para pak ditëve të ish-kryetarit të grupit parlamentar, Ben Blushi, "Nano është i paparashikueshëm". Ndaj në këtë situatë të lëkundur brenda të majtës, faktori Nano duket se ka ende ndikim në zhvillimet partiake dhe të koalicionit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›