Meta, Ramës: Mos kritiko qeverisjen i PS-së në 8 vjet
Ilir Meta i është rikthyer dje me nostalgji kohës së dikurshme kur ishte pjesë e Partisë Socialiste, teksa i ka kërkuar pa mëdyshje liderit të socialistëve të mos kritikojë më qeverisjen e tetë viteve të selisë rozë. Një qëndrim ky që ngjan me një afrim të pashpallur mes Metës dhe Nanos përballë të njëjtit objektiv, Edi Rama. Sipas kreut të LSI-së, Rama, duhet të heqë dorë nga e ashtuquajtura politikë e re që ka paraqitur deri tani. Gjatë një takimi me simpatizantë në Kamëz, Meta vlerësoi se politika e re e Ramës është një mendësi e gabuar, se s‘mund të thuash që në 17 vjet nuk është bërë asnjë gjë. "Është shumë e vërtetë që në këto 17 vjet është bërë shumë më pak nga çfarë prisnim të gjithë ne, por të thuash që nuk është bërë asgjë, duke ditur që ai është kryetar i një partie që ka qenë 8 vite në pushtet dhe që mori një pushtet të djegur dhe të shkatërruar", theksoi Meta. Duke sqaruar të pranishmit për debatin e provokuar, sipas tij, nga radhët e lidershipit të PS-së për çështjen e Kryeministrit të ardhshëm, Meta tha se "nuk ka qenë dhe nuk është një shqetësim as i LSI-së dhe as i Ilir Metës çështja e Kryeministrit. Nuk është hapur fare nga LSI-ja kjo çështje". Meta ftoi atë që e cilësoi "shokun tonë Edi", që të mos bjerë pre e servilizmave të atyre njerëzve në lidershipin e Partisë Socialiste, të cilët e nxisin me veprime dhe sjellje arrogante krejtësisht të panevojshme, të cilat nuk e ndihmojnë bashkimin e opozitës dhe të së majtës, as faktorizimin e mëtejshëm të opozitës në raport me mazhorancën për reforma më të mëdha. Janë po këta njerëz, shtoi Meta, që e nxisin sot Edin kundër koalicionit për të shkelur marrëveshjet, të cilët po dje nxisnin Fatos Nanon kur ishte Kryeministër kundër Ilir Metës dhe shumë socialistëve të tjerë që ngrinin probleme të ndryshme për qeverisjen e vendit. Në këtë kuadër ai tha se ata janë të njëjtët njerëz, me karakter intrigantësh, përçarësish, servilësh dhe abuzues me socialistët dhe me progresistët. "Do të ishte më mirë që Rama të dëgjonte zërin konsekuent të Petro Koçit dhe të shumë socialistëve dhe progresistëve, të cilët nuk kanë ardhur në Partinë Socialiste pas ‘97-ës", konstatoi Meta. Ai theksoi domosdoshmërinë e një konsensusi dhe të një transparence ndërmjet faktorëve politikë në vend për reformën zgjedhore. Sipas Metës, një nga reformat më të domosdoshme që ndërkombëtarët kërkojnë nga politika shqiptare, është ajo e reformës zgjedhore, e cila duhej të ishte realizuar prej kohësh dhe për të cilën LSI-ja ka paraqitur një platformë të qartë para 3-vjetësh. Për këtë qëllim, tha ai, ne kemi qenë gjithmonë të gatshëm të prisnim edhe sugjerime për të pasur një reformë sa më gjithëpërfshirëse, duke gjetur një zgjidhje sa më konsensuale, sa më transparente dhe duke respektuar një herë e mirë votën e të gjithë shqiptarëve. Në këtë kontekst, Meta shprehu zhgënjimin nga një pjesë e lidershipit të PS-së, për mosrespektimin e protokollit të bashkëpunimit ndërmjet partive opozitare, për të pasur një qëndrim të përbashkët për reformën zgjedhore. Duke i dhënë garanci për ta mbështetur edhe në të ardhme në drejtimin e suksesshëm të Bashkisë së Tiranës, Kryetari i LSI-së ftoi Ramën të mos ushtrojë ndikim nga pozitat e tij si kryetar bashkie ndaj televizioneve dhe gazetave, jo vetëm për të censuruar kolegët e tij të opozitës, por edhe për të censuruar zërat e ndryshëm brenda PS-së. "Sepse ne socialistët jemi krenarë që i dhamë fund në ‘97-ën traditës censuruese të Sali Berishës në 5 vitet e para të drejtimit të pushtetit nga ana e tij, kur kishte vetëm një televizion shtetëror dhe ishte krejtësisht partiak dhe kur kishte një gazetë ‘Koha Jonë‘ që u dogj, sepse ishte gazeta e vetme opozitare në atë kohë", këmbënguli Meta. Deklarimet e djeshme të Metës janë në vazhdën e turit që ai po zhvillon në bazë për të zgjeruar rrethin e mbështetësve të koalicionit "E majta për Integrim".