E Diel, 1 Nëntor 2026

Madhi-Berishës: Ndaloni Ligjin 7501

Kryeministri Sali Berisha është takuar dje paradite me kryetarin e grupit kuvendor republikan, Arjan Madhi, për ligjin e pronave. Takimi është zhvilluar në kryesinë e Kuvendit dhe kreu i grupit parlamentar të PR-së i ka kërkuar lidershipit të PD-së të rrëzojë Ligjin 7501. Megjithëse takimi mes Berishës e Madhit është menduar të jetë i fshehtë, nuk ka shpëtuar pa u vënë re nga media. Nuk ka qenë as reforma zgjedhore dhe as funksionimi i koalicionit tema e debatit. Mësohet se qendra e bisedës disaminutëshe mes Madhit dhe Berishës ka qenë çështja e pronave. Kreu i grupit kuvendor republikan ka pohuar se ka zhvilluar me Kryeministrin Berisha një takim formal përpara se ky i fundit të nisej për në Budapest, por nuk ka dhënë detaje të mëtejshme të këtij takimi. Referuar shtyrjes pa fund të procedurës së votimit për dy ligjet për tokën midis të cilëve është edhe abrogimi i Ligjit 7501, Madhi e ka cilësuar si një precedent të rrezikshëm që duhet ndalur. Për mungesë konsensusi, anulimi i Ligjit 7501 është shtyrë pa afat, çka ka nevrikosur pa masë republikanët. Guri i fundit për të lëvizur nga ana e republikanëve është një takim i drejtpërdrejtë me shefin e qeverisë, për të rrëzuar ligjin, i cili konsiderohet abuzues nga ana e Partisë Republikane.

I kontaktuar nga gazeta "Shqip", Arjan Madhi ka pranuar takimin me Kryeministrin Berisha, por ka mohuar kategorikisht se qendra e bisedës ka qenë reforma elektorale apo marrëdhëniet brenda koalicionit. "Është kryetari i PR-së ai që diskuton mbi marrëdhëniet brenda koalicionit, ndërsa unë flas vetëm në funksionin e kryetarit të grupit për çështje të caktuara. Ky ishte vetëm një takim formal i cili do të pasohet edhe nga takime të tjera", u shpreh Madhi. Aktualisht, diskutimi dhe shqyrtimi i Ligjit 7501 është në dorën e komisionit të veprimtarisë prodhuese. Nervozizmi i deputetit të PR-së, Arjan Madhi, ishte i menjëhershëm në sallën e Kuvendit, kur Kryetarja e Parlamentit nuk kishte përfshirë në rendin e ditës shfuqizimin e Ligjit 7501 për ndarjen e tokës. Duke parë qëndrimet kundër projekteve dhe tendencat për t‘i shtyrë pafundësisht ato, Madhi rebelohet kundër të mëdhenjve në Kuvend, duke ashpërsuar tonet e komunikimit me të djathtën. Vetëm ditën e djeshme, pak minuta përpara se Kryeministri të nisej drejt Hungarisë, kreu i grupit kuvendor të PR-së është takuar me kreun e Ekzekutivit për të sqaruar këto probleme me të djathtën. Që prej afro një viti, republikani Madhi ka depozituar propozimet për ndryshimet në ligjin e pronës me kërkesën për shfuqizimin e Ligjit 7501 "për tokën", megjithatë deri tani përpjekjet e tij kanë qenë pa një rezultat konkret.

Republikani kërkon shfuqizimin e ligjit, pasi, sipas tij, abuzime të mëdha po bëhen në ndarjen e tokës bujqësore. Nga ana tjetër, Madhi kërkon ndryshime në ligjin e pronave, për sigurimin e sa më shumë sipërfaqeve toka të lira për kompensimin fizik të pronarëve. Ndër të tjera, ai propozon dhe shtyrjen e afatit për pranimin e dokumentacionit nga ana e pronarëve për të kthyer dhe kompensuar tokat. Afati i propozuar nga Madhi është që të tolerohet deri më datë 31 dhjetor 2008.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›