PS: Rritja e pagës minimale është demagogji
Vendimet e fundit për rritjen e pagës minimale e pagesës së papunësisë u cilësuan dje nga Partia Socialiste si demagogjia e radhës. Nënsekretari i programit politik, Ilir Beqja, vlerësoi se më në fund qeveria arriti të zbardhë një vendim të deklaruar që në 13 korrik 2007. "Qeveria pretendon që ka rritur me 13% pagën neto të punëtorëve të pakualifikuar", tha Beqja. Por sipas tij, bazuar te vendimi i famshëm i pagave referuese, i cili në mënyrë të paligjshme është kthyer në normë nga administrata tatimore, janë 330 pozicione punonjësish të pakualifikuar të kategorisë së dytë, në degë të ndryshme të ekonomisë, apo rrethe të ndryshme të vendit, për të cilët rritja e pagës neto do të jetë jo më shumë se 6%. PS shpreh shqetësim, sepse në mënyrë kontradiktore ky vendim i fundit i qeverisë bën të papërdorshëm e të pazbatueshëm 13% të vendimit të pagave referuese, duke krijuar hapësira të reja për arbitraritet të administratës tatimore. Selia rozë kundërshton nivelin e papranueshëm në të cilin ka mbetur pagesa e papunësisë. Kjo pagesë nuk arrin standardin e përcaktuar nga instrumentet ndërkombëtarë socialë, për të dhënë të paktën 50% të pagës neto mujore. Sipas Beqës, qeveria shqiptare duhet të mbajë premtimet e programit të saj, të njohë dhe të pranojë realitetin dramatik të familjeve punëtore në Shqipërinë e sotme dhe të sigurojë standardet minimale për të gjithë shtetasit e Republikës së Shqipërisë.