E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Shpërblimet për pensionistët, përpara Vitit të Ri

Brenda kësaj jave do të përfundojnë të gjitha procedurat ligjore për të shpërndarë shpërblimin e premtuar për pensionistët përpara vitit të ri. Në mbledhjen e grupit kuvendor të PD-së, Kryeministri ka bërë me dije se qeveria do të hartojë një dekret për të mundësuar shpërblimin e pensionistëve për Vitin e Ri. Sipas këtij vendimit, rreth 450 mijë pensionistë në të gjithë vendin, përfshirë edhe punonjësit e administratës publike, do të mund t‘i marrin paratë e premtuara nga Kryeministri Berisha me gjithë kundërshtinë e ministrit të Financave përpara festave të fundvitit. Kryeministri theksoi se kjo rrugë do të ndiqet me qëllim që dekreti të hyjë menjëherë në fuqi dhe Instituti i Sigurimeve Shoqërore të ndërmarrë të gjitha masat për dhënien sa më shpejt të kësaj shume. Kryeministri Berisha falënderoi ministrin e Financave për punën e bërë në realizimin e kësaj nisme, ndërsa nënvizoi se kjo është një traditë e krijuar tashmë nga qeveria. "Kjo shumë shkon rreth 30 milionë dollarë, por pavarësisht kësaj, ky vendim ka në vëmendje dy gjëra: E para, festat e fundvitit nuk mund të bëheshin pa një shpërblim për pensionistët. E dyta, në këtë mënyrë i jepet përgjigjja më e merituar inflacionit. Kjo gjë mbi indekson pensionet. Me shpërblimin tejkalohet qartësisht niveli i inflacionit dhe ky është një lehtësim shumë i madh", tha Kryeministri. Ndërkohë, Berisha vuri në dukje se shpërblimi i punonjësve të administratës është i përcaktuar në fondin e pagave dhe ajo do të shpërndahet nga të gjitha institucionet sipas përcaktimit që ka.

Shpërblimi

Ashtu si një vit më parë, qeveria vendos t‘u "dhurojë" buxhetorëve dhe pensionistëve për festat e fundvitit, një "kartolinë". Për festat e Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri, ku tradicionalisht çmimet e tregut pësojnë rritjen më të madhe gjatë një viti, qeveria do të japë vetëm 5 mijë lekë për pensionistët dhe 10 mijë lekë për buxhetorët, ku përfshihen mjekë, arsimtarë, dhe punonjës në institucionet shtetërore. Nga ky vendim i Kryeministrit pritet të përfitojnë rreth 600 mijë shqiptarë, ku 450 mijë prej tyre janë pensionistë. Kundërshtinë për dhënien e shpërblimit të fundvitit, ministri Bode e ka shfaqur hapur në mbledhjen e grupit të PD-së një javë më parë, ku Berisha ka shpallur lajmin se qeveria ka një fond për t‘u dhënë mundësi buxhetorëve dhe pensionistëve për të festuar festat e fundvitit me më shumë të ardhura. Numri një i Ministrisë së Financave, Ridvan Bode, ka ngritur duart lart në mbledhjen e grupit për të treguar se ministria që ai drejton nuk ka të ardhura për të dhënë këtë masë shpërblimi gjatë fundvitit. Kryeministri Berisha është shprehur se "kjo është një lloj kartoline që ministri i Financave, Ridvan Bode, me ekipin e tij u dërgon, në emër të qeverisë, të gjithë pensionistëve shqiptarë dhe punonjësve të administratës".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›