PS: Kriza po thellohet. Berisha: S‘është e vërtetë
Debate të ashpra janë zhvilluar dje në seancën parlamentare. Shkak i këtyre debateve mes deputetëve të pozitës dhe opozitës është bërë kriza energjetike që po kalon vendi ynë, ku pjesa më e madhe e qyteteve dhe fshatrave po përjetojnë kufizime të tejzgjatura të energjisë elektrike. Shqetësimi është ngritur nga deputetët e opozitës: Erjon Braçe dhe Marko Bello. Në fjalën e tij, Braçe ka kërkuar shpjegime për mosfurnizimin e shqiptarëve me energji elektrike. Përgjigjen Braçe e ka marrë nga ministri i Energjetikës, Genc Ruli, i cili nuk e ka pranuar një gjë të tillë që vendi po përjeton një krizë të furnizimit me energji elektrike. Ai ka theksuar se furnizimi i popullatës me energji po behet si në çdo dhjetor, normal. Ky pretendim është mbështetur edhe nga Kryeministri Berisha, i cili e ka vlerësuar si normale situatën në të cilën po kalojmë me furnizimin e energjisë elektrike. Ai ka theksuar se i ka kërkuar KESH-it që ta reduktojë edhe më orarin e kufizimit të energjisë elektrike. Më pas debati në Kuvend është përqendruar në një tjetër pikë të rëndësishme. Deputetët e opozitës, ashtu siç kanë bërë vazhdimisht këta muajt e fundit, kanë kritikuar qeverinë për mënyrën sesi po i shpërndan fondet për investimet në zonat rurale. Sipas opozitës, fondet dhe tenderët po vazhdojnë të ndahen sipas bindjeve politike, atje ku ka fituar e djathta më shumë dhe atje ku ka fituar e majta pothuajse, mungojnë fare ose puna e nisur ka mbetur në vend numëro, prej gati dy vjetësh. Ky pretendim, gjithashtu si ai i energjetikës, është kundërshtuar nga Kryeministri Berisha dhe ministri i Transporteve, Sokol Olldashi. Sipas tyre, investimet kanë vijuar dhe po vijojnë në mënyrë intensive. Ndërsa deputetët Balla dhe Zogaj janë përfshirë në debate personale mes njëri- tjetrit pas akuzave që deputeti socialist ka hedhur në adresë të atij demokrat si ish-bashkëpunëtor i Sigurimit. Me këtë akuzë, sipas Zogajt, deputeti Taulant Balla do të përballet me organet e drejtësisë. Në lidhje me tri interpelancat e kërkuara nga opozita me Kryeministrin Berisha, ky i fundit është shprehur i gatshëm që në seancën e mbrëmshme, por me shumicë votash, është vendosur që në seancën e 27 dhjetorit, Berisha t‘u përgjigjet pyetjeve të opozitës. Ndërsa në Konferencën e Kryetarëve është rënë dakord që të shtyhet edhe me katër muaj mandati i komisionit të reformës zgjedhore, ndërsa është shtyrë për në janar të vitit 2008, mocionin me debat mbi raportin e BE-së për progresin vjetor të Shqipërisë.