E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha dhe Mediu ngushëllojnë Gruevskin

Kryeministri Berisha i dërgon ngushëllime homologut të tij maqedonas, Nikola Gruevskit, për tragjedinë e ndodhur ditën e shtunë, ku 11 veta humbën jetën nga rrëzimi i një helikopteri në Maqedoni. Në telegramin e ngushëllimit, Berisha shprehet se "mësova me pikëllim të thellë vdekjen tragjike të ushtarëve të vendit tuaj, në një aksident ajror, teksa po ktheheshin nga Bosnja, pasi kishin përfunduar atje misionin paqeruajtës Altea".

Nëpërmjet këtij telegrami, Berisha shprehet se viktimat ktheheshin nga një mision i cili nuk është i rëndësishëm vetëm për Bosnjën, por për mbarë rajonin. "Ju shpreh familjeve të ushtarëve që humbën jetën në këtë aksident tragjik, Juve, qeverisë Suaj dhe qytetarëve të Maqedonisë, ngushëllimet më të sinqerta të miat dhe të qeverisë shqiptare", tha ai. Po kështu, ngushëllime për tragjedinë e rrëzimit të helikopterit kanë ardhur

edhe nga ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Nëpërmjet një mesazhi, ministri Mediu shpreh dhimbje për lajmin për rrëzimin e helikopterit dhe humbjen tragjike të jetëve të ushtarakëve, të cilët ranë në krye të detyrës në shërbim të paqes dhe stabilitetit në rajon. "Më lejoni, që në emër të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe në emrin tim personal, t‘u shpreh ngushëllimet e mia Ju dhe nëpërmjet Jush familjeve të të ndjerëve", shprehet ministri i Mbrojtjes, në mesazhin e tij dërguar homologut maqedonas.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›