E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi: Duam standard të lartë të policisë

Presidenti Topi ka vlerësuar dje me "Medaljen e Mirënjohjes" punën e Policisë së Shtetit shqiptar në ditën e 95-vjetorit të krijimit të saj. Sipas tij, Policia e Shtetit, si një nga agjencitë e rëndësishme të zbatimit të ligjit në Shqipëri, ka dhënë një kontribut të madh dhe të pazëvendësueshëm në arritjen e sigurisë, rendit dhe stabilitetit të jetës së qytetarëve, si dhe funksionimit të institucioneve të vendit. "Integrimi i Shqipërisë në NATO dhe Bashkimin Evropian, realizimi i suksesshëm i reformave institucionale, ekonomike dhe sociale në vend, kërkojnë standarde të larta të rendit dhe të sigurisë. Ne sot, në këtë përvjetor, nderojmë thellësisht të gjithë ata punonjës dhe oficerë policie, që në përballjet e tyre me krimin, në përpjekjet për të siguruar rend dhe qetësi për qytetarët e Shqipërisë, funksionimin normal të institucioneve të vendit, dhanë edhe jetën, gjënë më të shtrenjtë për njeriun", u shpreh Topi. Gjithashtu, Presidenti shqiptar shprehu respektin për familjet dhe fëmijët e policëve, në shenjë mirënjohjeje për atë çka prindërit e tyre bënë për Shqipërinë. "Unë dëshiroj njëkohësisht t‘ju nxis në përpjekjet dhe kontributet tuaja për të garantuar një mjedis sa më të sigurt për komunitetin, rritjen e standardeve të ruajtjes së rendit, krijimit të një kulture bashkëkohore të komunikimit dhe arritjen e një infrastrukture të përparuar", tha Topi. Më tej ai u shpreh se qytetarët shqiptarë, institucionet e shtetit, partnerët ndërkombëtarë, policinë e kanë në qendër të vëmendjes dhe të vlerësimit për përmbushjen e vizionit tuaj në mbrojtje të rendit dhe të sigurisë publike, parandalimin dhe luftën kundër kriminalitetit, respektimin e lirive dhe të drejtave të qytetarëve, menaxhimin e integruar të kufijve, sigurinë rrugore dhe arritjes së modelit të një strukture të standardeve evropiane.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›