Vlorë, shpallet dëshmor polici
Me rastin e përkujtimit të 10-vjetorit të vrasjes së tij, si dhe me rastin e 95-vjetorit të krijimit të policisë shqiptare, Alket Muçaj është shpallur Dëshmor i Atdheut, nga Presidenti i Republikës. Eshtrat e punonjësit të policisë janë zhvarrosur nga varrezat publike dhe janë rivarrosur në varrezat e dëshmorëve të qytetit të Vlorës. Në ceremoni morën pjesë përfaqësues të drejtorisë së policisë së Qarkut të Vlorës, punonjës policie dhe familjarë e të afërm të policit të vrarë. Eshtrat e Muçajt janë vendosur në arkivol e më pas me një autokolonë të policisë është bërë një xhiro në qendër të qytetit e më pas, nën breshëritë e automatikëve, është kryer vendosja e eshtrave në varrezat e dëshmorëve. Më pas, në familjen Muçaj janë bërë vizita nga përfaqësues të policisë së Vlorës dhe është dorëzuar një letër e dërguar nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi. Alket Muçaj u lind në vitin 1972 në Kaninë të Vlorës. Fitoi disa tituj si boksier në ekipin e Flamurtarit dhe atë të Gardës së Republikës. Ai filloi punë në strukturat e Policisë së Shtetit në shtator të vitit 1997 dhe u vra më 2 janar të vitit 1998, gjatë një aksioni policor në Vlorë.