Ekzekutimi mafioz në Korçë, për pazaret e drogës
Një vrasje që është cilësuar e tipit mafioz ka tronditur qytetin e Korçës, kur një 29-vjeçar është ekzekutuar me një plumb në kokë nga një i njohur i tij. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në orën 22:00 të së shtunës, kur bashkë me atë që më pas do të ishte ekzekutor i tij, viktima Nikolin Sonellari ka qenë duke lëvizur në qytet me makinën që e kishte në pronësi. Ka mjaftuar që 29-vjeçari të hyjë në një rrugicë në afërsi të kodrave të qytetit, poshtë kampit, për t‘i lënë dorë të lirë kriminelit që më pas i ka marrë jetën. Nga ana e policisë, 29-vjeçari është gjetur i vdekur në mjetin e tij tip BMW me targa KO 0605 B, i cili edhe në momentin kur në vendin e ngjarjes ka shkuar grupi hetimor, ka qenë ende me drita të ndezura. Ngjarja e rëndë është mbuluar fillimisht me mister, por me nisjen e hetimeve, pak orë më pas policia ka mundur të zbardhë identitetin e autorit të krimit. Policia nuk ka ngurruar ta cilësojë këtë vrasje të tipit mafioz, për nga mënyra se si është bërë ekzekutimi me një plumb të vetëm dhe me gjakftohtësi. Për policinë, vrasja e 29-vjeçarit Sonellari ka qenë një vrasje me paramendim. Ndërsa është ngritur një grup hetimor dhe me ketë rast janë angazhuar specialistët e krimeve të rënda, nuk ka vonuar as dyshimi i parë mbi autorësinë e krimit. Në orët e mëngjesit është vënë në pranga 30-vjeçari Leonard Pasho, që sipas policisë ka qenë i dënuar më parë për veprën penale të kontrabandës. Nga hetimet mësohet se vrasja është bërë me paramendim dhe ka marrë shkas nga disa pazare të vjetra. Policia, tha se i arrestuari mund të jetë thjesht një ekzekutor i paguar, por pritet që vërtetimi i kësaj teze të bëhet nga hetimet e mëtejshme. Shenjat e gishtërinjve në mjet duket se kanë tradhtuar autorin e krimit. Nisur nga fakti që ai ka qenë i skeduar më parë, policia ka mundur të zbulojë shpejt identitetin e vrasësit. Sipas burimeve zyrtare të policisë së qarkut, dyshohet se motivi i vrasjes me paramendim të 29-vjeçarit Nikolin Sonellari, ka lidhje me trafiqe të paligjshme të lëndëve narkotike në shtetin grek. Sipas të dhënave të policisë lokale, viktima ka qenë i dënuar për vjedhje me dhunë në vitin 1999. Lidhja e tij me autorin, sipas policisë dyshohet të ketë pasur si zanafillë trafiqe të paligjshme të lëndëve narkotike në shtetin grek dhe të dy mendohet se mund të kenë qenë të implikuar në veprimtari ilegale. Nikolin Sonellari ishte kthyer një muaj më parë nga Greqia, dhe dyshohet se në këtë kohë është hartuar edhe plani për ekzekutimin e tij. Për shkak të njohjes dhe mirëbesimit, Sonellari ka pranuar të lëvizë me mjetin e tij bashkë me 30-vjeçarin Leonard Pasho, pa e menduar se mund të gjente vdekjen. Policia thotë se autori e ka kryer vrasjen me paramendim dhe ka qenë i përgatitur për këtë vepër penale dhe mënyrën se si do ta realizonte krimin. Policia ka dyshime gjithashtu se pas autorësisë së krimit dhe ekzekutorit fshihen edhe persona të tjerë të implikuar në trafiqet e drogës dhe të interesuar për zhdukjen e 29-vjeçarit.