Vrasja në Amerikë, zi në Konispol
Vrasja enigmatike me plumb në kokë e Surja e Safo Shehut në Çikago të Amerikës ka bërë që në shtëpinë e Hasan Shehut në Konispol, vëllait të vogël të trungut familjar, të hapet zia. Ndërkohë që familjarët konfirmojnë se trupat e tyre pa jetë pritet të mbërrijnë në Aeroportin e Rinasit në mbrëmjen e të martës, tërë këto ditë në banesën prindërore të vëllezërve Shehu, bashkëfshatarë dhe miq të shumtë hyjnë e dalin të heshtur e të mërzitur. Gra të veshura në të zeza lëshojnë lot, të gjithë në mënyrën e tyre bëjnë ngushëllime, shprehin dhimbjen për humbjen e ndodhur në rrethana ende të pasqaruara. Sipas policisë amerikane, autor i vrasjes është djali i çiftit, por askush në Konispol nuk e beson këtë.