Berisha fton në Tiranë Kryeministrin e Kuvajtit
Mbërrin sot në Shqipëri, Kryeministri i Kuvajtit, Sheik Naser AL Mohammad Al Ahmad Al Jaber Al Sabah. Kreu i Kuvajtit, 63 vjeç, i njohur për pasurinë e tij të madhe, ka pranuar ftesën e Kryeministrit Berisha dhe në axhendën e tij dyditore në Tiranë, ditën e parë ai e ka rezervuar vetëm për kreun e qeverisë shqiptare. Përpara se të bëhej Kryeministër në Kuvajt, ai ka shërbyer si ambasador i Kuvajtit në Iran dhe Afganistan. Mesditën e sotme, shefi i qeverisë së Kuvajtit do të zbresw në tokën shqiptare dhe në orën 17:15 do të zhvillojë një takim kokë më kokë me Kryeministrin Berisha. Në protokollin e përgatitur posaçërisht për numrin një të qeverisë kuvajtiane, vihet re nënshkrimi i shtatë marrëveshjeve midis Shqipërisë dhe Kuvajtit, ku më e rëndësishmja është ajo me Ministrinë e Ekonomisë dhe Energjetikës, Genc Rulit, për bashkëpunimin ekonomik dhe teknik midis Shqipërisë dhe Kuvajtit. Pasdite, Berisha dhe i ftuari i tij do të zhvillojnë një konferencë shtypi të përbashkët. Në mbrëmje, Kryeministri Berisha do të shtrojë një darkë të posaçme në respekt të homologut të tij. Të nesërmen, Sheik Naser AL Mohammad Al Ahmad Al Jaber Al Sabah do të takojë Presidentin e Republikës, Bamir Topin, dhe kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Ramën. Ndërsa për mikpritjen e numrit një të qeverisë së Kuvajtit, të enjten do të drekojë me zv/kryeministrin Oketa, ndërsa në darkë me Kryetaren e Kuvendit, Topallin.