PR-ja rrit pazarin për pragun, të gatshëm për negociata
Kryetari i grupit kuvendor të PR-së, Arian Madhi, u shpreh se Partia Republikane mbështet pragun 2.5% apo 3%, por edhe gatishmërinë për të negociuar për çështjet e reformës zgjedhore, duke përfshirë edhe pragun elektoral. Republikanët kanë dhënë shenja negociatash në lidhje me sistemin e ri të pragut, duke mos përjashtuar faktin që pragu të shkojw deri në 3%. "Çështja e pragut elektoral është kthyer si një treg frutash e perimesh në prag festash, ku çmimet ngrihen dhe ulen", tha Madhi, duke kërkuar që të mos bëhen deklarata nw ajër për pragun e ri elektoral, por takime në rrugë institucionale. Kreu i grupit kuvendor republikan shprehet se është i mendimit se ka elementë që duhet të jenë përcaktues të pragut, si ai teknik, ashtu dhe ai politik. "Nëse politika është e bindur se ka arritur një maturi të dukshme sa të përjashtojmë një numër partish, që janë të rendit 2.5 apo 3 për qind dhe që përafërsisht zënë 15-20 për qind të elektoratit, kjo do të ishte një arritje e gjetur dhe e mirë në stadin ku gjendet politika shqiptare", tha numri një i grupit republikan. Kryetari i grupit parlamentar të PR-së, Arian Madhi, shprehu gatishmërinë e PR-së për të negociuar për të gjitha çështjet e reformës zgjedhore, përfshirë edhe atë të pragut elektoral.