Topi mungon në festë, uron Berishën në telefon
Ish-numri dy i Partisë Demokratike, Bamir Topi, është mjaftuar ta urojw kryetarin e PD-së për 17-vjetorin e partisë vetëm nëpërmjet telefonit. Presidenti Topi, megjithëse ka qenë i pranishëm në Tiranë, nuk ka marrë pjesë në ditëlindjen e partisë që e bëri deputet dhe President, por i ka dhënë urimet e tij vetëm nëpwrmjet telefonit. Historia e krijimit të PD-sw e ka zanafillën e saj më 12 dhjetor tw vitit 1990, ku u krijua e para parti opozitare me diktaturën më të egër në Evropë. PD-ja lindi vetëm katër ditë pas shpërthimit të protestave në Qytetin Studenti dhe u vu menjëherë në krye të kësaj lëvizjeje mbarëpopullore për liri dhe demokraci. Partia Demokratike është themeluar më 12 dhjetor tw vitit 1990, ndonëse juridikisht është pranuar si subjekt politik nga Ministria e Drejtësisë një ditë më parë, më 11 dhjetor. Para themelimit si forcë politike, kryetar i Komisionit Nismëtar për krijimin e PD-së ka qenë Azem Hajdari, i cili jep dorëheqjen për t‘i hapur rrugë ardhjes në krye të Partisë Demokratike, Sali Berishës. Berisha dha dorëheqjen në vitin 1992 pasi merr postin e Presidentit të Republikës, ndërsa në vend të tij vjen Eduard Selami. 12 dhjetorit i parapriu lëvizja studentore, prijës i së cilës ishte Azem Hajdari. Bashkë me studentët që u përleshën me policinë dhe forcat speciale, u bashkuan edhe intelektualë të shquar, por edhe i gjithë populli që ishte i etur për liri dhe demokraci. Lëvizja studentore u kthye në një revoltë popullore kundër regjimit më të egër. Menjëherë te studentët shkuan edhe figura intelektuale të atyre viteve si Sali Berisha, Pjetër Arbnori, Gramoz Pashko, Eduard Selami, Aleksandër Meksi, Arben Imami, Preç Zogaj, e shumë të tjerë. Themelimi i PDSH-sw u shpall në Tiranë, më 12 dhjetor në orën 16:00, në një miting historik madhështor, si forca e parë opozitare antikomuniste e demokratike dhe u komunikua programi minimal i PDSH-sw. Disa nga themeluesit e PD-së, të cilët sot janë jashtë skenës politike, pohojnë se 12 dhjetorin e përgatitën dhe e sollën edhe demonstratat dhe manifestimet e tjera në Kavajë, Shkodër dhe Tiranë.