E Diel, 1 Nëntor 2026

KLD, organizon tryezën e dytë për reformën

Këshilli i Lartë i Drejtësisë do të organizojë sot një tryezë për realizimin e reformës në sistemin e drejtësisë. Për të parën herë, nisma për nisjen e një ndryshimi të madh legjislativ për drejtësinë shqiptare, nuk merret nga politika, por nga drejtësia. Tryeza do të drejtohet nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i cili do të mbajë edhe një fjalim para pjesëmarrësve. Përveç kreut të shtetit, në tryezën e sotme do të marrin pjesë edhe deputetë, përfaqësues të trupit diplomatik, misionit të delegacionit të Komisionit Evropian, kryetarët e gjykatave, avokatë, prokurorë etj. Tryeza do të jetë ndër më të mëdhatë të organizuara deri më tani me rreth 250 të ftuar. Zëvendëskryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu, do të prezantojë strategjinë mbi reformën dhe më pas të ftuarit do të jenë pjesë e këtij debati dhe platformës për të ardhmen e drejtësinë shqiptare. Bëhet e ditur se kjo fushatë e Këshillit të Lartë të Drejtësisë do të zhvillohet në të gjitha qytetet e Shqipërisë. Ajo synon të bëjë për herë të parë pjesë të ndryshimeve kushtetuese dhe ligjore për drejtësinë, vetë gjyqtarët dhe prokurorët si dhe partnerët ndërkombëtarë. Të gjitha debatet dhe tryezat do të realizohen nën transparencë dhe pjesëmarrjen e publikut dhe medias. Në përfundim të kësaj fushate Kuvendi i Shqipërisë do të ketë një platformë dhe qëndrim të përbashkët juridik të të gjithë komunitetit të gjyqtarëve dhe përfaqësuesve të sistemit të drejtësisë për reformën. Kjo platformë do të jetë një mjet i rëndësishëm për të siguruar konsensusin parlamentar dhe do të garantojë jetëgjatësinë e ndryshimeve të nevojshme ligjore dhe kushtetuese mbi reformën. Kjo është tryeza e dytë që organizohet për realizimin e reformës në sistemin e drejtësisë, pas tryezës së parë të organizuar nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi, në ambientet e Pallatit të Brigadave, pak muaj më parë me kryetarët e partive parlamentare. Në pamje të parë tryeza u duk si pozitive, por nisma e mazhorancës për të shkarkuar ish-kryeprokurorin Theodhori Sollaku ka mbështetjen e opozitës, solli në dështimin e kësaj tryeze. Javët e fundit, drejtuesit e opozitës janë shprehur vazhdimisht se nuk do të bëhen pjesë e reformës zgjedhore, sepse një gjë e tillë sipas tyre tashmë është e kotë për vetë faktin se të gjitha institucionet e larta të shtetit janë kapur nga Kryeministri. Opozita ka premtuar se reforma në sistemin e drejtësisë do të realizohet sapo ajo të vijë në pushtet. Por pavarësisht deklaratave të bëra nga drejtuesit e opozitës, PD-ja nëpërmjet deputetëve të saj dhe aleatëve, i ka bërë thirrje opozitës që të marrë pjesë në realizimin e reformës në sistemin e drejtësisë. Kjo reformë është e domosdoshme për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Deri më tani nuk është bërë asnjë hap konkret për realizimin saj, gjithçka ka mbetur në kuadrin e deklaratave për shtyp dhe ftesave të ndërsjella, të cilat ashtu si gjithmonë mbesin pa përgjigje konkrete.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›