Berisha i feston Krishtlindjet në Korçë
Kryeministri zgjedh qytetin e Korçës për të festuar Krishtlindjet. Sot, shefi i qeverisë do të niset drejt Korçës për të vizituar selinë e komunitetit ortodoks, Mitropoli në Korçë në orën 10.30. Ndryshe nga viti i kaluar, ku Kryeministri uroi besimtarët e krishterë për festën e Krishtlindjeve, këtë vit Kryeministri ka zgjedhur ta lançojë mesazhin e tij për këtë festë nga qyteti i Korçës. Gjatë vizitës së tij, Berisha do të inaugurojë edhe rrugën hyrëse të qytetit, unazën e qytetit dhe pallatet e entit të banesave. Vitin e kaluar, një ditë pas Krishtlindjeve, Kryeministri i ka dhuruar politikës shqiptare shtyrjen e datës së zgjedhjeve lokale, të programuara më 20 janar të këtij viti që lamë pas. Një vit më vonë, ngelet surprizë urimi dhe mesazhi që kreu i qeverisë do u përcjellë qytetarëve dhe politikës shqiptare, e cila në vitin që vjen pret ftesën për në Samitin e Bukureshtit për hyrjen në NATO.