E Diel, 1 Nëntor 2026

Hakmarrja, nene e bir vriten per nje plagosje

Hakmarrja ka shënuar dy viktima nënë e bir në një fshat të Shkodrës, ndërsa policia lokale ka mundur të arrestojë në një kohë rekord autorin e vrasjes së dyfishtë. Age dhe Rafael Filipi janë qëlluar për vdekje nga Arjan Zefi, duke iu shtuar kështu listës së gjatë të hakmarrjes. Në fakt, hakmarrja mes fiseve ka pasur si zanafillë plagosjen e Zefit një vit më parë nga ana e Rafaelit për motive pronësie. Ndërsa Gjykata e Shkodrës e kishte dënuar Rafaelin me gjobë.

Të dyja palët e përfshira në këtë konflikt prisnin që diçka të ndodhte. Si gruaja 56-vjeçare, ashtu edhe djali 20 vjeç, kanë pasur në brez të trupave të tyre pistoleta. Kjo ka bërë që policia e Shkodrës të mendonte se konflikti mes dy palëve ishte shumë i ashpër. Age Filipi njihej në këtë zonë, pasi ishte kryetare e PS-së fshatit Ças të Velipojës, po kështu punonte edhe si mësuese në këtë zonë. Ka qenë ora 14.00, kur kanë ndodhur edhe vrasjet. Nënë e bir ishin duke u kthyer në shtëpi. Vetëm pak metra pa shkuar te dera e jashtme e shtëpisë ata janë qëlluar nga Arjan Zefi, i cili kishte parë lëvizjet e tyre dhe në momentin kur kanë kaluar në rrugicën e ngushtë ai ka qëlluar disa herë me një pushkë njëzetëshe. Plumbat që nënë e bir kanë marrë, u kanë shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Viktimat po udhëtonin me një "Fiat Punto" SH 2016D dhe mjeti drejtohej nga Rafaeli. Autori është larguar nga vendi i ngjarjes. Mesa duket ai ka gjetur këtë zonë të izoluar, pa lëvizje, që të qëllonte mbi ta, duke shpresuar se nuk do të shihej nga kush dhe se autorësia nuk do të zbulohej. Por, në fakt, gjithçka është zbuluar brenda pak minutave.

Menjëherë pas vrasjes, Drejtoria e Policisë së Shkodrës ka nisur aksionin për kapjen e autorit. Në krye të aksionit ka qenë drejtori i Policisë së Shkodrës, Nikolin Bala. Janë ngritur njëkohësisht disa postblloqe, duke synuar që autori të mos largohej nga Velipoja. Postblloqet e shumta kanë bërë izolimin e tij. Dhjetëra forca policie kanë bërë rrethimin në katër anët e shtëpisë së Arjan Zefit, pas informacionit të sigurt se ai ndodhej atje në përpjekje për t‘u larguar. I është bërë thirrje që të dorëzohet dhe pas pak minutash ai është arrestuar nga policia pa bërë rezistencë. Gjatë marrjes në pyetje ai ka deklaruar se ka qëlluar mbi ta, pasi gjatë kësaj kohe e kishin kërcënuar se do ta vrisnin dhe i ka qëlluar ata për vetëmbrojtje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›