Rama ngushëllon familjen Filipi: Ngjarja një barbari kriminale
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama i bashkohet dhimbjes së familjes Filipi. "Kjo tragjedi ku humbi jeta e nënës dhe e birit të saj, ka tronditur thellë opinionin publik, që tanimë gjendet sistematikisht përpara viktimave të një barbarie kriminale në rritje" thuhet në një komunikatë për shtyp të nxjerrë nga selia rozë, pas vrasjes së Age Filipit dhe djalit të saj Rafaelit. Age Filipi prej disa kohësh mbante dhe postin e kryetares së partisë socialiste në fshatin Ças të Velipojës. Në emër të të gjithë socialistëve Edi Rama u shpreh të afërmve të viktimave ngushëllimet më të sinqerta. Edi Rama nënvizon se kjo kronikë e një ngjarjeje të paralajmëruar është vetëm një hallkë në zinxhirin e gjatë të veprave kriminale të kësaj natyre, të cilat reflektojnë pafuqinë e shtetit ligjor në garantimin e jetës e të sigurisë së qytetarëve. "Politika e re e PSSH-së në qeverisje do ta nxjerri shoqërinë nga kjo klimë mesjetare dëshpërimi social e instikti hakmarrës, ku e mbajnë të ngujuar prej 17 vitesh hijet e së shkuarës", thuhet në këtë komunikatë.