Bulqizë, grup pune për zbardhjen e ngjarjes
Pas vdekjes së minatorit të tetë në Bulqizë është ngritur një grup pune që do analizojë situatën duke tentuar zbardhjen e së vërtetës. Banorët e zonës kanë përcjellë dje për në banesën e fundit trupin e pajetë të minatorit Njazi Jalliu. Të pranishëm në këtë moment kanë qenë Kolë Nikolli, kryetari i konfederatës së sindikatave të Shqipërisë, administratori shqiptar i Darfos, Elton Beqaj, drejtori i minierës, Petrit Duva, kryetari i bashkisë, Roland Keta, dhe deputeti Sali Shehu. Sakaq, miniera ka marrë përsipër të mbulojë shpenzimet e ceremonisë së varrimit. Në këtë drejtim duket se shuma prej 1 milion lekësh do ndihmojë sado pak familjen të kapërcejë këtë moment. Minatorët e tjerë të Bulqizës premtojnë se në 18 shkurt, data që shënon 60-vjetorin e minierës, do të organizohen në një protestë duke kërkuar nxjerrjen e përgjegjësve për vdekjet e shkaktuara. Reagimi i firmës që administron minierën ka qenë thuajse qesharak. Teksa deklaron se punëtorët kanë qenë të siguruar, ajo nuk harron të thotë se i ndjeri kishte hyrë në një galeri që nuk ishte cilësuar si e garantuar për nga masat e sigurisë.