Berisha kërkon blerës për KESH-in
Qeveria shqiptare nis bisedimet për modelin e privatizimit të sistemit të shpërndarjes së KESH-it. Sipas kreut të qeverisë, privatizimi i sistemit të shpërndarjes do të bëhet brenda gjashtëmujorit të parë të këtij viti. Kryeministri Berisha ka pritur dje në zyrën e tij drejtorin e përgjithshëm të shërbimeve të konsulencës pranë IFC-së, Angelo Delatti, me qëllim avancimin e tre projektprivatizimeve, me të cilat IFC asiston në qeverinë shqiptare. Në fillim të takimit u diskutua për ecurinë e modelit të privatizimit të sistemit të shpërndarjes së KESH-it, që pritet të shpallet së shpejti. Më pas u diskutua mbi përgatitjen e tenderit të hidrocentralit të Ashtës, si dhe për koncesionin e Portit të Durrësit. Po kështu dje, Kryeministri Berisha është njohur me projektin e kompanisë "Al-Celik-Vega" sh.a, për ndërtimin e një uzine të madhe për përpunimin e metalit në Shqipëri, një investim ky që kap shifrën 50 milionë euro. Kryeministri e garantoi presidentin e "Al-Celik-Vega" sh.a, se ky investim do të gjejë mbështetjen e plotë të qeverisë shqiptare, duke përfituar nga të gjitha lehtësirat e premtuara e të parashikuara në reformat e qeverisë, përfshirë edhe nismën "Shqipëria, 1 euro".