Fushata brenda PD-së, beteja për zonat e influencës
Lufta për zonat e influencës brenda Partisë Demokratike ka vënë në lëvizje jo vetëm deputetët, por edhe ministrat e kabinetit "Berisha". Ndonëse para disa ditësh, kur deputetët e djathtë nisën turin elektoral nëpër rrethe, ministrat ishin të vetmit që u treguan të painteresuar ndaj këtij urdhri, situata tashmë ka ndryshuar. Influenca për të fituar mbështetjen në zgjedhjet e ardhshme qendrore ka zbritur në fushën e betejës edhe ministrat. Ministri i Financave, Ridvan Bode, zbret në Pogradec duke kërkuar zgjerimin e PD-së me anëtarë të rinj. Ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi, pritet të vizitojë Beratin, si zonë e përcaktuar nga kryesia e PD-së nën angazhimin e tij. Numri një i Ministrisë së Ekonomisë dhe Energjetikës, Genc Ruli, viziton Gjirokastrën, duke u fokusuar më shumë te premtimet ndaj elektoratit të tij në këtë qytet. Selia blu ka angazhuar edhe ministrin Lulzim Basha, të cilit i është lënë nën inspektim zona e Elbasanit, ndërsa qytetin e Pukës ia ka besuar ministrit të Bujqësisë, Jemin Gjanës. Pra, në këtë mënyrë mund të thuhet fare mirë se Partia Demokratike ka nisur ante-prima fushatën elektorale për zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2009-të. Deputetë dhe ministra janë vënë në garë për të rritur influencën në zonat e tyre elektorale. Kryesia e PD-së është duke menduar gjithashtu edhe ndryshimet e strukturave të saj në rrethe, për të vijuar më pas me kryeqytetin, i cili ka gjasa të mos ketë ndryshime të mëdha. Edhe në ndarjen e zonave vihet re një tendencë për të sfumuar rivalët brenda PD-së. Ndonëse thuhet publikisht se klanet brenda partisë më të madhe nuk ekzistojnë, veprimet e fundit tregojnë një përplasje që nëse vazhdohet më tej, synon ta dëmtojë Partinë Demokratike. Zona e Vlorës në të cilën janë zgjedhur deputetët Adrian Kollozi dhe Bujar Leskaj është inspektuar ditët e fundit nga numri një i grupit kuvendor të Partisë Demokratike, Astrit Patozi. Sipas ndarjes së bërë nga grupi i kryesisë së PD-së, nënkryetari i PD-së, Astrit Patozi, do të "survejojë" Jugun, ndërsa nënkryetarja tjetër, Jozefina Topalli, do të mobilizohet në veri të vendit. Kryeqyteti do të "menaxhohet" nga dy ministra të qeverisë "Berisha", Majlinda Bregu dhe Bujar Nishani, ndërsa për qytetin e dytë të madh pas Tiranës do të kujdeset deputeti i saj, njëkohësisht numri dy i qeverisë, Gazmend Oketa. Nënkryetari i Kuvendit, Fatos Beja, ka vizituar dy ditë më parë Fierin, ndërsa për Kukësin do të kujdeset deputeti Aleksandër Biberaj. Dy deputetët e Lezhës, Preç Zogaj dhe Aldo Bumçi, si çdo javë kanë pritur në takime në qytetin e Lezhës simpatizantët e Partisë Demokratike. Ndonëse mund të cilësohet shumë herët që Partia Demokratike të caktojë zonat elektorale për zgjedhjet e 2009-ës, vizitat e fundit nëpër rrethe të strukturës së PD-së tregojnë se PD kërkon të rikuperojë humbjen e 18 shkurtit në bashkitë kryesore të vendit dhe të matë pulsin e elektoratit të saj në zonat ku ka pësuar humbje. Nënkryetarja Topalli, përveç Veriut, nën funksionin e numrit dy të partisë bëri edhe një vizitë zyrtare në Fier, ku PD humbi thellë në zgjedhjet lokale përballë PS-së. Po kështu edhe nënkryetari tjetër i PD-së, Astrit Patozi, vizitoi Vlorën, për të rikuperuar dhe shmangur një humbje tjetër në këtë zonë një vit më vonë.