“Berisha, larg duart nga Prokuroria”
PDS shprehu shqetësim për presionin që qeveria po bën mbi institucionet që duhet të hetojnë krimin dhe korrupsionin. Sekretari politik i kësaj partie, Artur Duçkallari, i bëri thirrje kryeministrit të heqë dorë nga presionet ndaj këtyre institucioneve. “PDS edhe një herë i bën thirrje Berishës të heqë dorë nga presionet mbi Prokurorinë, gjykatat dhe SHISH-in. Pazaret e tij të fundit për një makijazh të ri të qeverisë, nuk do të mund të rikuperojnë themelet e tronditura të kësaj maxhorance të dështuar nga keqqeverisja e korrupsioni dhe të shpëtojë Kryeministrin e saj, i cili duhet të largohet nga qeverisja dhe të dorëzohet te drejtësia”, tha Duçkallari. Numri dy i PDS-së i kërkoi “kryeministrit dhe të gjithë personave pranë tij, që t’i drejtohen organit të Prokurorisë dhe në mënyrë të vullnetshme të rrëfejnë implikimin e tyre në trafikun e municioneve dhe fishekëve, që kulmuan me kraterin e Gërdecit”. “Për ne hetimi i plotë i ngjarjes së Gërdecit, si një nga skandalet më të rënda shtetërore, dhe zbardhja e implikimit të njerëzve me mandate politike në të, është pjesë e përgjegjësisë që prokurorët kanë tashmë jo vetëm përpara ligjit, por dhe përpara mbarë opinionit publik, për rikthimin e besimit të shqiptarëve te shteti, besim i cili është tronditur thellësisht prej paaftësisë dhe korruptimit galopant të qeverisë ‘Berisha’”, tha Duçkallari.