Prokuroria, Patozi: Konsensus me opozitën
Maxhoranca i kërkon sërish konsensusin opozitës për reformën zgjedhore dhe reformën në drejtësi, teksa e konsideron të papranueshëm ultimatumin e Ramës lidhur me ligjin e Prokurorisë. Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi tha dje në një konferencë për shtyp se, debati i fundit mbi ligjin që po harton Ministria e Drejtësisë për funksionimin e Prokurorisë, është i papranueshëm për aq kohë sa ai nuk ka vajtur ende në Kuvend. “Debati për këtë projekt është i parakohshëm dhe i panevojshëm, përsa kohë ky ligj është ende në proces draftimi dhe nuk ka arritur në Kuvend. Ultimatumi i shqiptuar nga kryetari i PS-së, Edi Rama, për këtë draft, është një absurditet, ndërkohë që politika e ultimatumeve nuk të çon larg”, theksoi kreu i grupit të deputetëve demokratë. Sipas tij maxhoranca pret konsensusin e opozitës për të miratuar në Kuvend dy prej reformave kryesore, të cilat janë edhe kusht anëtarësimin e plotë në NATO, reforma në sistemin e drejtësisë dhe atë zgjedhore. “Nuk mund t’i kërkohet maxhorancës, që të bëjë konsensus me Prokurorinë, por maxhoranca mund të bëjë konsensus me opozitën dhe ne presim të bëjmë konsensus me opozitën për reformat e mëdha, sidomos atë zgjedhore dhe reformën në drejtësi”, theksoi nënkryetari demokrat.