“G99” si Bashkimet Profesionale
Edmond Arizaj
Pyetja 1 milion dollarëshe: Çfarë kërkon Erion Veliaj? Fituesit mund të jenë vetëm dy, vetë Veliaj dhe kryesocialisti Edi Rama. Po t’i shohësh me vërejtje të gjitha deklarimet, të gjitha daljet, vetëm apo së bashku, të gjitha lëvizjet e tyre, nuk vëren asnjë ndryshim. Qoftë edhe ndonjë presje. Një mendje në dy trupa. Dhe pyetja tjetër në vijim, por pa ndonjë shumë për t’u fituar është: E ka krijuar Rama “G99”, apo Veliaj po e kthen Partinë Socialiste në një OJF?
Për hir të moshës së PS-së, po marrim të mirëqenë pjesën e parë të pyetjes dhe jo krejt pa vërtetim; nuk kërkon Rama dorëheqjen e Berishës, nuk e kërkon as Veliaj, shkon Rama nëpër fshatra, flet Veliaj për të ardhmen e popullsisë rurale, ankohet Rama për koçanët e misrit, gjëmon Veliaj për firmën që shiti farën, ndryshon Rama Kushtetutën, Veliaj nuk “ndodhet” në Shqipëri, flet Rama për “mikun Ilir”, radhisin anëtarët e OJF-së shkrime për gazeta etj., si këto.
As më pak e as më shumë të vijnë ndërmend fundvitet e ’80 dhe fillimvitet e ’90, kur Presidenti i atëkohshëm Ramiz Alia për të mbështetur mendimet e idetë e tij, nxori në plan të parë Bashkimet Profesionale, Bashkimet e Grave, Bashkimet e Pionierëve, Bashkimet e Fatosave e kush e di sa bashkime të tjera, por që gjithsesi gjithçka përpunohej në zyrën e tij.
Një rol të tillë e ka marrë sot edhe lëvizja “G99”.
Tashmë po bëhet më se e qartë se “MJAFT” i dikurshëm, i drejtuar nga Veliaj, kishte një synim të qartë; me çdo lloj metode të degjeneronte qeverinë dhe qeveritarët socialistë. Fytyrat e jo pak prej tyre, që të premten ishin përkrah Veliajt në marshimin e pazëshëm, janë qëlluar me vezë, janë bërë objekt talljesh e humori në lloj-lloj formash. Nuk analizojmë a ishin apo jo të drejta, por pyetja që shtrohet fort tashmë vonë, dhe që dikur bërbëlitej është: si ka mundësi që “MJAFT” nuk hodhi qoftë edhe një batutë ndaj qeverisjes së Tiranës me kryebashkiak Edi Ramën? Edhe sikur Rama çdo gjë ta bënte në mënyrën më perfekte, prapë në 9 vjet pushtet kishte gjëra edhe për “MJAFT”. Tashmë daljet e përbashkëta, apo të koordinuara të Ramës dhe Veliajt, e kanë dhënë këtë përgjigje. Një vend deputeti është shpërblimi? Fjalë ka, si gjithkund në Shqipëri dhe siç thuhet “nuk ka zë pa
gjë”. Vetë Veliaj sillet si drejtues i një OJF-je dhe bën lëvizje politike, shprehet kundër nepotizmit, por bën ç’është e mundur për të kontrolluar FRESSH (sipas mediave), flet edhe ai për politikë të re, por lëviz me mënyrën dhe ish-ët e vjetër, kërkon intelektualët dhe përfundon tek adoleshentët. Ndoshta vetë situata kaotike në Partinë Socialiste, nuk lejon as Veliajn të qartësojë veten në raport me shqiptarët në lëvizjen e tij të re, ku e qartë duket veç dëshira e tij e pashprehur ende në mënyrë eksplicite për të qenë pjesë e 140-çes së ardhshme. Nuk është ndonjë dëshirë e çuditshme dhe as e papranueshme. Mbetet vetëm për t’u sqaruar se në rast të kandidimit a do të ekzistojë më lëvizja e tij, apo do të ketë fundin e “MJAFT”? A do të jetë Rama që do ta verë në listat e kryeqytetit dhe kë do të zëvendësojë? Sepse edhe ata që dikur Veliaj i godiste me vezë kërkojnë të kenë emrin në listë. Por edhe ata që i qëndrojnë sot shumë pranë Ramës e kërkojnë këtë gjë. Pa janë edhe ata të politikës së re. Dhe Tirana ka vetëm diku tek 33 vende. Nuk është shumë e thjeshtë edhe për Ramën.
Por le të kthehemi sërish te gjallesa e re politiko-jofitimprurëse e Veliajt. Asnjë reagim për ndryshimin e Kushtetutës, pikërisht nga njeriu që dikur e tundte Kushtetutën për çdo lloj ndërmarrjeje në rrugët e Tiranës. Asnjë reagim për hermetizimin e PD dhe PS, pikërisht nga njeriu që filozofonte për fjalën e lirë. Asnjë reagim serioz për të pabërat e kryeministrit, nga njeriu që ish-kryeministrit Nano i zinte në fyt çdo teke uiski. Asnjë reagim serioz për ministrat aktualë, nga njeriu që karikaturonte çdo ish-qeveritar. Në vend të tyre ka fjalë pa fund për bashkimin e të gjithë shqiptarëve; një lloj mënyre tjetër për të mos thënë përtej së majtës dhe të djathtës. Për të mos folur pastaj për ambientin. Në vend të tyre ka hetime të zbehta për arsimin apo drejtësinë, apo bubullima për koçanët e misrit.
“G99”, ngado që ta kthesh nuk duket gjë tjetër veç një krijesë e Ramës. Dhe së bashku me fondacionin “Qemal Stafa” (vetëm emri i vlen) bëjnë binomin e thirrjes së dikurshme: Në njërën dorë kazmën, në tjetrën pushkën.