Meta: Nëse LSI nuk merr 35 deputetë, rishoh pozicionin
aristir lumezi
Kreu i LSI-së, Ilir Meta, u shpreh dje i sigurt për suksesin e kësaj force politike në zgjedhjet e vitit të ardhshëm. “Jam i bindur sepse sistemi është favorizues edhe për LSI. Se sa, kjo nuk ka limit, por mund të them se nëse LSI do të marrë më pak se 35 deputetë mua do më duhet të rishikoj pozicionin tim si kryetar i LSI-së”, tha Meta. Këtë deklaratë kreu i LSI-së e bëri gjatë emisionit “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu në “TV Klan”.
Sipas tij, LSI në një kohë shumë të shkurtër është rritur si parti dhe kjo rritje e saj vazhdon të ndodhë. Meta shtoi dje se, do të kandidojë në kryeqytet. Duke risjellë në vëmendje zgjedhjet e përgjithshëm të 2005, Ilir Meta tha se ishte i vetmi kryetar partie që emrin e tij nuk e përfshiu në listat proporcionale të partisë. Kreu i LSI-së gjatë bisedës së mbrëmshme televizive shpjegoi dhe qëndrimin e kësaj partie në tryezën e partive opozitare. Sipas tij, vetëm qëndrimi i LSI-së justifikonte akuzat e vazhdueshme që partitë opozitare bëjnë në adresë të kryeministrit Berisha si përgjegjës për tragjedinë e Gërdecit apo dhe vdekjen misterioze të Kosta Trebickës. “Do të ishte naive të mendohej se opozita, si minorancë parlamentare bashkëpunon që t’i imponojë maxhorancës së Sali Berishës një ligj për prokurorinë që do ta marrë atë si të pandehur, apo të akuzuar për të gjitha ato përgjegjësi që ne ngremë ndaj atij”, vijoi Meta. Sipas tij, vetëm një qëndrim i bashkuar i opozitës, për t’iu imponuar Berishës në rrugë parlamentare dhe jashtëparlamentare dorëheqjen është mënyra e vetme për të lënë të qetë prokurorinë dhe drejtësinë dhe që do zbardhë tragjedinë e Gërdecit. “Nëse opozita e përcakton si prioritet të saj imponimin e dorëheqjes së Berishës, vetëm atëherë drejtësia do të ishte e qetë dhe e pandikuar dhe për këtë mund të gjenden zgjidhje parlamentare dhe jashtëparlamentare për ta bërë këtë, mjafton të jemi të gjithë të bashkuar në një prioritet të përcaktuar qartë”, u shpreh Meta. Sipas tij, ideja e bojkotit në parlament ishte më shumë një spekulim i bërë.
Duke sjellë në vëmendje qëndrimet e koordinuara të opozitës, Meta tregoi se ato gjithnjë kanë dhënë rezultat konkret. “Vetëm qëndrimi në bllok i opozitës, e detyroi Berishën të plotësojë garancitë që ne kërkuam për zgjedhjet vendore 2007. Nëse ne e vëmë si prioritet mund ta arrijmë”, tha Meta. Duke folur për pikat që e ndajnë Metën nga Rama, kreu i LSI-së nënvizoi se qëndrimi i Ramës vazhdon ta lejë në pushtet deri në zgjedhje Sali Berishën. “Zoti Rama mendon se vetëm vota do t’i ndajë gjërat dhe do largojë Berishën, ndërsa ne mendojmë se Berisha duhet të ikë që shqiptarët të marrin pjesë në zgjedhje të ndershme, sepse ishte ai që premtoi karta identiteti dhe reformë zgjedhore, ndërsa me Berishën kryeministër shqiptarët do shkojnë pa karta identiteti në zgjedhje. Nëse do të kishim kushtetutën e vjetër të para 21 prillit, Sali Berisha do të kishte rënë shumë shpejt nga votat parlamentare. Ky është superpushteti që zoti Rama i dha zotit Berisha”, tha Meta. Kreu i LSI-së duke sjellë në vëmendje bashkëpunimet me PS shtoi se, i vetmi që prishi marrëveshjen e pesë partive opozitare pas zgjedhjeve vendore të 2007, ishte Edi Rama. “Nuk do ndodhë të dal përpara zgjedhjeve dhe të mbështes zotin Rama. Unë jam i zhgënjyer jo vetëm nga zoti Rama, por dhe nga kolegë të tjerë në PS, pasi mendoja se me përvojën dhe kontributet që kishin nuk do të ishin më shumë në mbrojtje të vlerave të së majtës. Mendoj se zoti Rama në fillimet e veta ka pasur një rol pozitiv, por ai e ka shumë të vështirë të jetë lider. E ka shumë të vështirë sepse është tepër arbitrar, sepse i mungon vullneti për të debatuar dhe dialoguar dhe diskutuar gjërat në grup, dhe me partitë e tjera dhe me publikun. Ka shumë të vështirë të përcaktojë prioritetet”, u shpreh Meta.