Bode insiston: Do ulim sigurimet, buxheti OK
fabiola Çela
Qeveria do të vazhdojë reformën fiskale, edhe pse FMN-ja shpreh rezerva të forta. Bode i është përgjigjur dje në sy përfaqësuesit të Fondit, duke hedhur poshtë këshillat e FMN-së për mosuljen e masës së kontributeve shoqërore dhe pakësimin e deficitit buxhetor. Ministri i Financave u tregua i sigurt se në fund të vitit pagesa e sigurimeve do të ulet me 5 për qind. Nga ana tjetër e kaloi me 1 për qind kërkesën e FMN-së për një deficit deri në 3.5 për qind. E thënë ndryshe, vitin tjetër do të kemi një superbuxhet dhe taksa më të ulëta për biznesin.
Sigurimet shoqërore
FMN-ja kërkoi mosuljen e sigurimeve, por rritjen e arkëtimeve nga kjo taksë. Por ministri i Financave argumentoi se qeveria do të bëjë të kundërtën. “Qeveria shqiptare ka adoptuar një politikë konstante të uljes së nivelit të taksave dhe ka përgjysmuar nivelin e të gjithë taksave në krahasim me vitin 2005. Ky është akti i fundit që bën me përgjysmimin e taksës së fundit mbi bizneset, taksat e drejtpërdrejta. Vendet e tjera të rajonit e kanë të gjithë nën 20% kontributin e sigurimeve shoqërore që paguan punëdhënësi”, është shprehur Bode. Madje, sipas tij, politika e zbutjes së taksave dhe zgjerimi i bazës kontribuuese e shoqëruar me një administrim të mirë, ndihmon shumë në mënjanimin dhe eliminimin e informalitetit si dhe në uljen e nivelit të korrupsionit në administratë. Ky ka qenë motivi që qeveria ka shprehur vullnetin për të ulur me 5 pikë përqindje kontributin e sigurimeve shoqërore, ose e thënë ndryshe punëdhënësit do të paguajnë 50% më pak për punonjësit e tyre në krahasim me fundin e vitit 2005. “Ne po përpiqemi ta çojmë në mesataren e vendeve të rajonit për të mundësuar një dalje në treg, në dritë, të një numri të madh biznesesh që ende bazohen mbi punën e zezë, mbi mospagimin e kontributeve të punëmarrësve dhe po ashtu në mos sigurimin e tyre për pension”, ka thënë ministri. Aplikimi i sigurimeve do të fillojë nga 1 janari, që përkon edhe me vitin elektoral.
Deficiti
Financimi i shpenzimeve për investime, sipas FMN-së, nuk duhet të dalë zbuluar më shumë se 3.5 për qind të GDP-së. Por duket se objektivi i fondit është shumë larg parashikimit të Bodes. Ministri këmbënguli dje se deficiti, pra borxhi që do të marrë Shqipëria do të jetë sa 4.2 për qind e GDP-së. “Ne mendojmë që viti 2009 do të jetë po ashtu një vit i rëndësishëm në realizimin e programit të investimeve. Megjithatë nisur nga fakti që jemi në një vit zgjedhor dhe fakti që ka probleme në ekonominë botërore, sidomos në tregjet financiare, mendojmë që për vitin 2009 të reduktojmë deficitin buxhetor me rreth 1 pikë % të PBB–së”, ka deklaruar Bode. Ulja e deficitit, sipas kërkesës së FMN-së, do të tkurrte investimet dhe si rrjedhojë do të vinte në dyshim superbuxhetin prej 5.2 miliardë dollarësh të premtuar nga Berisha.