E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha një lulishte për myslimanët

Kryeministri Berisha i dhuron për Kurban Bajramin pronat komunitetit mysliman. Vendimi surprizë është dhënë dje në mbledhjen e qeverisë, me propozim të kreut të ekzekutivit, Sali Berisha. Unanimisht, ministrat e kabinetit kanë rënë dakord që sipërfaqja truall prej 1185 m2, e cila ndodhet mbrapa Bibliotekës Kombëtare dhe që deri dje ishte cilësuar si pronë shtetërore, këtej e tutje do të shërbejë për kompensim fizik të komunitetit mysliman shqiptar. Vendi me ish-emërtimin e mëparshëm si gropa e Hajdin Sejdisë, i njohur para disa viteve si strehëz e narkomanëve dhe perversitetit seksual, u shndërrua më pas në një lulishte në fillim të këtij viti. Vetëm dje, qeveria vendosi që ky truall të njihet si pronë e komunitetit mysliman. Përpos kësaj, ish-gropa e Sejdisë ka shkaktuar edhe përplasjen e pushteteve. Rreth dy vjet më parë, Bashkia e Tiranës u përplas me pushtetin qendror pikërisht për gropën e Hajdin Sejdisë. Qeveria kërkoi dy vjet më parë nga firmat ndërtuese të mbushnin gropën, ndërsa Bashkia e Tiranës i gjobiti për të njëjtën gjë. Qeveria, në këtë rast, u justifikua me faktin se kishte nënshkruar një kontratë me firmat, ndërsa bashkia deklaroi se kishte nisur një aksion pastrimi, pasi firmat që hedhin inerte në gropë kanë shkaktuar kaos në rrugën pranë saj. Vendimi për të kaluar nën administrimin e komunitetit mysliman sipërfaqen e tokës prej më shumë se 1 mijë metra katrorë që ndodhet prapa Bibliotekës Kombëtare ka koinciduar edhe me festën e Kurban Bajramit. Duket se Kryeministri në këtë rast ka bërë kurban një lulishte, e cila ndodhet në qendër të kryeqytetit për ta kthyer në pronë të komunitetit mysliman. Vendimi ka hyrë në fuqi dje në mbledhjen e qeverisë, me kërkesë të Kryeministrit Berisha. Kreu i ekzekutivit ka ngarkuar Ministrinë e Drejtësisë, Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave dhe Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme për zbatimin e këtij vendimi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›