Komisioni miraton ligjin, akademikët kundër
Mazhoranca ka miratuar ndryshimet në ligjin e Akademisë së Shkencave, në Komisionin Parlamentar të Medias. Kështu, ky ligj shkon tashmë për miratim në Parlament, edhe pse u kundërshtua ashpër nga akademikët prezentë në mbledhje, si dhe nga deputetët e majtë të komisionit. Për nënkryetarin e Akademisë së Shkencave, nenet janë tërësisht enigmatike dhe arbitrare. "Ne nuk i kemi parë kurrë këto nene, vetëm tani iu hodhëm një sy dhe mendoj se janë tërësisht të pasakta dhe që cenojnë Akademinë".
Komisioni parlamentar miratoi ndryshimet, por ato u kundërshtuan nga të majtët, që nuk morën pjesë në votim. Gjatë diskutimit, deputeti Marko Bello tha se "këtu qeveria vendos për gjithçka: emëron drejtuesit e Akademisë dhe bën ç‘të dojë me institucionin më të lartë të shkencës". Po sipas tij, është e patolerueshme largimi nga asambleja e akademikëve që janë mbi 75 vjeç.
Këto ndryshime, që u shqyrtuan me procedurë të përshpejtuar, edhe pse hasën në diskutime, nuk u shtynë për seancën tjetër, ndaj u miratuan me vullnetin e të djathtëve në komision.
Ligji u mbrojt nga këshilltari i Kryeministrit, Myqerem Tafaj, i cili deklaroi se është reformuar dhe se nuk iu heq titujt akademikëve mbi 75 vjeç. Ndërsa për nënkryetarin e Akademisë, Luan Omari, "ndryshimet e paraqitura e thellojnë diskriminimin ndaj akademikëve dhe nuk i zgjidhin problemet e tyre".
Deputetët e opozitës, nga ana e tyre, nuk pranuan të jenë pjesë e debatit të sotëm, duke kërkuar kohë për t‘u njohur me amendamentet në fjalë.