E Diel, 1 Nëntor 2026

Kalderon: Kaka nuk ka vend te Reali

Presidenti i Realit të Madridit, Ramon Kalderon, duket se ka hequr dorë përfundimisht nga ëndrra e tij për të sjellë në "Santiago Bernabeu" mesfushorin brazilian Kaka. Një gjë e tillë është parë mjaft mirë dje, kur ai ka deklaruar për mediat spanjolle se futbollisti do ta kishte të vështirë të gjente një vend në formacionin e ndërtuar nga Shuster. Duke folur për sfidën klasike kundër Barcelonës, që do të luhet të dielën, Kalderon ka saktësuar se ekipi i tij nuk mund të përmirësohet më shumë, ndonëse ai nuk u mbyllte derën blerjeve të tjera cilësore në janar. "Skuadra është shumë e kompletuar dhe do të ishte shumë e vështirë që të përmirësohej më shumë. Unë mund të dukem arrogant, por ndoshta as Kaka nuk do të gjente një vend në skuadrën aktuale të Realit të Madridit", ishte deklarata surprizë e Kalderon. Presidenti i Realit ka qenë gjithmonë një admirues i brazilianit dhe që në momentin kur ka marrë drejtimin e klubit ka kërkuar me ngulm që ta afrojë atë pranë ekipit të tij. Pavarësisht ofertave shumë të majme që i janë bërë Milanit, insistimi i kuqezinjve për të mbajtur futbollistin, nuk ka bërë të mundur realizimin e një transferimi. Pasi Kaka fitoi "Topin e Artë" dhe "FIFA World Player" në këtë edicion, ai deklaroi se ishte gati të rinovonte kontratën e tij deri në vitin 2013 me Milanin. Meqenëse kjo i ka mbyllur rrugën çdo tentative për të kaluar te Reali i Madridit, Kalderon ka gjetur një mënyrë origjinale për të shfryrë dufin e tij, duke e cilësuar Kaka si të panevojshëm. "Raul është gjithmonë një pikë referimi dhe do të mbetet ashtu edhe në vitet në vazhdim. Për mua është shumë e rëndësishme që Reali i Madridit të ketë një lider spanjoll. Ai është futbollisti më i mirë në Spanjë. Të njëjtën gjë e mendojnë edhe presidenti i FIFA-s, Blater, apo ai i UEFA-s, Platini. Guti? Ai ka një cilësi të jashtëzakonshme në gjithçka që bën në fushë. Kemi edhe shumë lojtarë të tjerë si Serxho Ramos. Ai e meritoi plotësisht rinovimin e tij me Realin e Madridit dhe besoj se do të jetë nga ata lojtarë që do të mbyllin karrierën e tyre në futboll me ne. Ka shumë lojtarë të tjerë të shkëlqyer si Kazijas, Van Nistelroi, Roben apo Pepe. Kjo tregon se kemi një kontingjent të mjaftueshëm për të fituar gjithçka. Megjithatë, porta jonë mbetet e hapur për lojtarët cilësorë", u shpreh Kalderon.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›