E Diel, 1 Nëntor 2026

Myslimanët festojnë sot Kurban Bajramin

Kurban Bajrami është një ndër dy festat e besimtarëve myslimanë krahas Fitër Bajramit. Në këtë ditë bëhet kurban për hir të Zotit dhe mishi u dhurohet të varfërve. Në thelb, kjo festë është përkujtim dhe ripërtëritje e aktit të Profetit Ibrahim, të konsideruar "baba i profetëve", i cili u tregua i gatshëm të sakrifikonte djalin e tij, Ismail, nga një urdhër i Zotit përcjellë në ëndërr. As Ibrahimi e as djali i tij, sipas burimeve hyjnore, nuk e vunë në dyshim dhe në diskutim urdhrin e Zotit, duke pasur një nënshtrim të plotë, provë e besimit dhe e devotshmërisë së tyre. Por në momentin kur profeti Ibrahim do të sakrifikonte djalin e tij, Ismail, nga Zoti i vjen urdhri për ta ndalur dorën, duke i dhuruar një dash, që më pas u bë kurban për hir të Zotit. Nga kjo ndodhi, besimtarët përftojnë urtësinë e zbatimit të urdhrave hyjnore, pa devijuar prej tyre me arsyetime sofistike dhe kjo është tregues i një devotshmërie të thellë. Vlerë dhe urtësi tjetër e Kurban Bajramit është nxitja për dhurim dhe ndihmë ndaj atyre që janë në varfëri dhe në gjendje të rëndë ekonomike, si dhe forcimi i raporteve miqësore dhe familjare mes besimtarëve. Po kështu, Kurbani ka edhe vlerën e falënderimit të Zotit për furnizim nga dhuntitë e Tij. Për kurban mund të theret gjedhë (lopë, ka, dem, ose mëzat), si dhe bagëti e imët (dash, dele, dhi ose cjap). Për gjedhën është kusht që t‘i ketë mbushur dy vjet. Për çdo rast, gjatë blerjes dhe zgjedhjes duhet të kihet parasysh që kurbani të mos ketë mangësi dhe të meta të caktuara.
Për kurban nuk mund të theren kafshë të mëdha dhe të vogla, të cilat janë të prekura nga këto të meta fizike si: nëse është e verbër në të dy ose në njërin sy; nëse është e çalë dhe e dobët saqë të mos ketë mundësi të arrijë deri te vendi i therjes; nëse veshin ose bishtin e ka gjysmë të prerë, mirëpo nëse është lindur kështu, atëherë mundet; nëse e ka bririn të thyer, saqë i është lënduar edhe nervi cerebral; nëse është e sëmurë saqë s‘ka shpresa se mund të mbijetojë; nëse nuk i ka dhëmbët, ose i ka të thyer dhe nëse sisët i ka të prera, saqë s‘mund ta ushqejë të voglin e vet. Ndaj, për të gjithë ata që duan të bëjnë kurban, këshillohet të njohin dispozitat fetare për këtë lloj riti, që bazohet krejtësisht në burime hyjnore dhe nuk është krijim njerëzor.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›