Elbasani, tre lojtarë drejt Azerbajxhanit
Duket se menaxherët e kampionatit azerbajxhanas kanë sulmuar skuadrën e Elbasanit, pasi kanë piketuar disa lojtarë të kësaj skuadre. Pas zërave për largimin e mesfushorit Shpëtim Babaj drejt kampionatit lindor, janë edhe dy futbollistë të tjerë, të cilët po përgatiten të ndjekin të njëjtën rrugë. I pari është sulmuesi Ardian Nuhiu, i cili nuk ka arritur ende të bindë drejtuesit e skuadrës. Ai e ka zbuluar një gjë të tillë nëpërmjet një interviste të dhënë për "albaniasoccer.com", duke sqaruar se edhe mbrojtësi Karçev mund t‘i bashkohej atij. "Gjatë provave në verë në Azerbajxhan, jam takuar me një menaxher vendas, i cili gjatë këtyre ditëve më ka kontaktuar, duke më treguar se janë dy klube të ligës së parë që më kërkojnë. Gjatë janarit do të shkoj në Azerbajxhan për të filluar diskutimet me këto klube. Nëse gjendet gjuha e përbashkët, do të vazhdoj atje karrierën time. Me mua do të udhëtojë edhe kolegu im, i cili luan në Elbasan, mbrojtësi Nikolla Karçev", ka treguar Nuhiu.