E Diel, 1 Nëntor 2026

Tronditet Mançester UTD, përdhunuesi vetëdorëzohet

Mbrojtësi Xhoni Evans është liruar me kusht pasi është marrë në pyetje rreth skandalit të përdhunimit në klubin e Mançester Junajted. Të gjithë futbollistët e skuadrës u deklaruan "të tronditur", pasi mësuan për arrestimin e shokut të tyre, i cili akuzohet se ka kryer marrëdhënie seksuale me dhunë me një 26-vjeçare, natën kur është zhvilluar festa e Krishtlindjeve. Evans ishte vetëdorëzuar në polici, menjëherë sapo ishte kthyer nga një udhëtim njëditor në Monako. Një zëdhënës i policisë deklaroi: "Dedektivët po hetojnë një rast përdhunimi në qytetin e Mançesterit dhe kanë arrestuar një 19-vjeçar. Ai është dorëzuar në polici dhe mbetet i dyshuari kryesor i përdhunimit. Momentalisht po mbahet nën vëzhgim".

Hetimet e policisë kanë filluar pas telefonatës së një vajze, e cila pretendonte se ishte sulmuar në festën e Krishtlindjeve të "Red Devils". Të martën, ajo është ekzaminuar nga mjekët e një spitali të specializuar në konfirmimin e rasteve të përdhunimeve. Përpara se të lejohej të shkonte në shtëpi, ajo lëshoi një deklaratë për forcat e rendit, ndërkohë që marrja në pyetje do të vazhdojë. Sipas mediave britanike, pasi kanë festuar gjatë gjithë mbrëmjes dhe kanë konsumuar sasi të mëdha alkooli, disa prej futbollistëve të Mançester Junajted kanë shkuar në hotelin "Great John Street". "Party" që u organizua të hënën, filloi në mesditë në "235 Casino", për t‘u shpërngulur te pub "The Grapes" dhe disa prej tyre paguan për të "vizituar" një lokal me kërcime ekzotike. Mbrëmja u mbyll në hotel, ku shampanja derdhej lumë. Secili lojtar i Mançesterit kishte mundësi të ftonte në festë një numër të caktuar të ftuarish. Ndërkohë, të gjitha dhomat e hotelit luksoz, që kushtonin nga 235 deri në 395 paund nata, ishin prenotuar vetëm për futbollistët e klubit anglez. Në mbrëmje ishin të ftuara rreth 100 bukuroshe, disa prej të cilave udhëtuan me mijëra kilometra për të marrë pjesë. Një i ftuar mashkull pohoi për "The Sun": "Fola me një bukuroshe, e cila kishte ardhur nga Londra për këtë festë, ndërkohë që një tjetër kishte udhëtuar nga Njukasëlli. Vajzat e ftuara ishin të mahnitshme, si në një konkurs bukurie. Ato ishin nga 18 deri në 30 vjeç dhe pjesa më e madhe i ofroheshin vetë lojtarëve. Pijet ishin pamasë, kamerierët u shërbenin të gjithëve atyre që kërkonin, dhe futbollistët kanë pirë gjithçka, duke filluar nga birra, deri te vodka dhe uiski".

Evans, emri i plotë i të cilit është Xhonatan, ka debutuar për herë të parë me Mançesterin në muajin shtator, në humbjen përballë Koventrit në "Carling Cup". Ai është aktivizuar edhe në fitoren 4-0 me Dinamon e Kievit në Ligën e Kampioneve dhe në barazimin 1-1 me Romën. Gjatë edicionit të kaluar, kur ishte huazuar te Sanderlendi ai luajti 18 takime në kampionat, ndërkohë që në shkollë ka qenë një student shumë i mirë. Në një prononcim të bërë vitin e kaluar rreth mbrojtësit, Sër Aleks Ferguson kishte thënë: "Ai është i shpejtë, lexon mirë lojën dhe është mjaft teknik me topin. Një futbollist i kompletuar".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›