Kuman vendos: Kanizares dhe Albelda do të shiten
Presidenti i Valencias, Huan Soler, ka mbështetur vendimin e trajnerit Ronald Kuman për ndryshime në skuadër, duke filluar nga merkato e janarit. Ai ka bërë të ditur se kjo do të thotë se portieri Santiago Kanizares dhe mesfushori David Albelda do të largohen që në janar. "Stafi teknik, trajneri dhe drejtori sportiv na kanë komunikuar se është thelbësore që Kanizares dhe Albelda të mbeten jashtë skuadrës. Presidenti e ka pranuar vendimin e trajnerit, duke kuptuar se jeta profesionale e çdo futbollisti ka një fund", deklaroi dje zv.presidenti Enrike Lukas. 38-vjeçari Kanizares i është bashkuar Valencias që në vitin 1998, ndërsa 30-vjeçari Albelda ka dalë nga ekipet zinxhir të këtij klubi. "Santiago dhe David kanë qenë lojtarë të rëndësishëm në historinë e këtij klubi. Është një vendim i dhimbshëm dhe presidenti ka qenë shumë i hidhëruar", përfundoi Lukas.