Berisha paralajmëron ndërtuesit për vonesat
Berisha paralajmëron ndërtuesit se do t‘u heqë licencën nëse nuk
përfundojnë brenda kohës së caktuar ndërtimet. Duke specifikuar mënyrën e dhënies së lejeve të ndërtimit, kreu i qeverisë vuri në dukje se për çdo shkelje të afateve të përcaktuara në kontratë, duhet të hiqen lejet e ndërtimit. "Nëse shkelet kontrata, leja do të marrë fund", theksoi Berisha. "Ajo që po ndodh aktualisht me disa kompani ndërtimi është e papranueshme, pasi tregojmë një mungesë respekti të plotë për komunitetin, duke rendur pas kontratave të tjera. Ministria e linjës ka marrë urdhër që të rishqyrtojë çdo kontratë dhe ta heqë atë nëse kompania nuk i përgjigjet pikë për pikë të gjitha stadeve të përmbushjes së saj", tha Kryeministri. Duke kërkuar përcaktimin e sanksioneve më drastike për shkeljen e kontratave, ai theksoi se "Shqipëria është një vend kohë-humbur, ndaj është në interesin më të mirë të secilit prej nesh ta pohojmë këtë fakt". Kreu i qeverisë kërkoi që Shoqata e Ndërtuesve të jetë më aktive në mbrojtjen e raporteve me komunitetin dhe publikun. ‘Ne jemi kohë-humbësit më të mëdhenj të Evropës, një komb i vogël me kohën më të madhe të humbur dhe kjo do të thotë që duhet të rendim për të kapur kohën. Nuk mund të pranojmë që lejet e ndërtimit të shndërrohen në letra bixhozi, siç ndodh aktualisht, pasi nuk mund të pranoj që interesi publik të diktohet nga financat familjare të gjithsecilit", tha Berisha. Kryeministri e konsideroi situatën e krijuar të papranueshme, e cila vjen nga babëzia. Kryeministri Sali Berisha deklaroi se "ligji i ri për urbanistikën përbën Kushtetutën e administrimit të territorit, ndaj duhet konsultuar gjerësisht përpara se të arrihet në draftin final". Qëllimi i kësaj tryeze ishte paraqitja e ligjit të ri të urbanistikës, si dhe tërheqja e opinioneve të ndryshme, në mënyrë që ky ligj të jetë i plotë kur të miratohet. Por sa i plotë do të jetë ky ligj dhe sa për bazë do të merren sugjerimet e Shoqatës së Ndërtuesve, kjo mbetet ende për t‘u parë. "Ligji do të shkojë në Kuvend me qëllim që të vendosë rregullin në administrimin e asaj që kanë më të çmuar qytetarët dhe shoqëria, territorin. Ne duhet t‘i japim fund kaosit të diktuar nga shumë faktorë socialë dhe politikë, kaosit të diktuar nga babëzia, në mënyrë që të garantojmë transparencë të plotë në këtë proces", tha Berisha. Sipas tij "planet urbane duhet të reflektojnë dhe të respektojnë nivelet e qeverisjes dhe ky është një kusht shumë i rëndësishëm në mënyrë që këto plane të harmonizohen me investimet publike". Duke kërkuar forcimin e rolit të bashkive, komunave dhe qarqeve në këtë proces, Kryeministri Berisha përforcoi faktin se "ne jemi qeveri e decentralizimit dhe kjo vërehet pasi me shumë shpejtësi po përpiqemi ta jetësojmë këtë proces në të gjitha aspektet". Gjithashtu, kreu i qeverisë theksoi se "ligji në mënyrë kategorike nuk mund të cenojë kompetencat e drejtuesve të pushtetit vendor, pasi ne po ecim drejt një Europe ku kompetencat e rajoneve dhe të qeverive rajonale janë të domosdoshme për zhvillimin rajonal të vendit". Ai kërkoi gjithashtu që të konsiderohet me prioritet dimensioni antikorrupsion, pasi sipas tij "korrupsioni luftohet vetëm kur përcaktohet si parimi bazë në të gjitha proceset dhe procedurat, ndërkohë që është fakt i pamohueshëm që korrupsioni është një nga faktorët kryesorë të agresionit ndaj territorit".