KOSOVA NUK ëSHTë JERUSALEMI I SERBISë
I dashur mik,
Jam duke të shkruar këtë letër, sepse disa nga miqtë e mi më të mirë janë serbë, si dhe për shkak të lidhjeve historike mes serbëve dhe hebrenjve. Por disa nga miqtë e mi më të mirë janë gjithashtu edhe shqiptarë të Kosovës. Ashtu si hebrenjtë, të cilët kanë qenë pa shtet për një periudhë të gjatë kohe, ata janë kështu edhe sot, prandaj shumë nga ne e kuptojnë dhe e mbështesin çështjen e tyre për vetëvendosje dhe pavarësi.
Kjo është një kohë decizive për Serbinë, sepse në të njëjtën kohë është e lidhur me të kaluarën - një e kaluar e lavdishme dhe e shenjtë mund të jetë njëherësh, por dhe me të ardhmen: Serbia është duke paguar koston e shansit të saj për t‘iu bashkuar familjes së madhe europiane, së cilës vendi yt i përket për nga historia dhe kultura.
Le të fillojmë së pari me faktet e padiskutueshme të së tashmes: 90 për qind e popullsisë në Kosovë është etnikisht shqiptare. Ata kurrë nuk do të pajtoheshin me një qeverisje të përjetshme serbe. Është fat se pas aneksimit të Kosovës nën Serbinë, më 1913, politika e Beogradit ka qenë për ta një politikë e vazhdueshme e përjashtimit, diskriminimit dhe mundësisht e spastrimit etnik. Edhe Perëndimi demokratik nuk e pranon kthimin e Kosovës nën qeverisjen e Serbisë.
A do të thotë kjo që shqiptarët e Kosovës janë fajtorë? Sigurisht që jo! Në një konflikt etnik askush nuk është fajtor i vetëm, tërësisht bartës i fajit.
Unë e di, ju e shihni Kosovën si Jerusalemin tuaj, dhe ky argument ka rënë në veshin e Izraelit dhe në vetëdijen e vetë hebrenjve në përgjithësi. Por, nëse populli i Jerusalemit do të ishte me 90 për qind popullsi arabe, deklarata e Izraelit për të do të kishte qenë shumë e kujdesshme.
Unë e di që ju keni lidhje të thella historike me Kosovën, e cila, që kur u shfaq hapur nacionalizmi serb në shekullin e 19-të, që atëherë u shenjëzua edhe si "djepi i civilizimit serb". Por sot, në shekullin e 21-të, asnjë nuk mund të pretendojë që të konfigurojë kufijtë historikë, duke iu referuar lidhjeve historike, të cilat injorojnë dëshirat dhe vullnetin e popullsisë së sotme.
Çështja themelore sot nuk është territori, por janë njerëzit. Kjo është arsyeja që shumica e izraelitëve sot duan t‘u jepet fund deklaratave mbi rajonet historike të Jude-së dhe Samaria-s. Madje duan t‘i jepet fund edhe dëshirës për ta konsideruar qeverisjen palestineze në disa pjesë të Jerusalemit. Përplasjet historike me realitetin mund të jenë burim fatkeqësish, por janë një realitet që duhet përballur. Unë e di atë që ju keni thënë, se për shekuj Serbia ka qenë barrikadë e Europës së krishterë kundër Islamit. Po e lë mënjanë "përplasjen" e pakëndshme "të qytetërimeve", si raciste, nëse nuk është shumë raciste. Por le të jemi realistë. Mbi të gjitha ju humbët shumë beteja, ju humbët betejën e Kosovës më 1389 ndaj otomanëve, kështu që ju nuk ishit aq të suksesshëm në mbrojtjen e Europës përballë Islamit. Ju u ofruat shqiptarëve të Kosovës autonominë, jo pavarësinë. Uluni me këmbë në tokë. A ishte pikërisht "autonomia" e mjaftueshme për serbët kur ju qeveriseshit nga ish-perandoria osmane deri në shekullin e 19-të? Ku qëndron ndryshimi? Unë e di se gjithçka mund të jetë shumë e dhimbshme për ju. Dhe me pak arsyetim ti mund të më pyesësh: Si mund ta quash veten një mik të serbëve, pasi ke thënë gjithë këto gjëra? Për një arsye të thjeshtë: Do të dëshiroja ta shihja Serbinë të bashkuar në Europë, ashtu si bëri dhe Sllovenia dhe pritet që edhe Kroacia ta bëjë në të ardhmen. Mos e përjashto veten për shkak të kujtimeve historike, domethënë mos u bëj armiku më i keq i vetvetes. Mendo, e kanë bërë këtë popujt modernë. Francezët dhe gjermanët, për shembull, pas shekujsh të tërë luftërash, emancipuan veten nga kërcënimet e ndërsjella të së kaluarës, zhdukën nga mendja atë që kishin humbur (po, shtetet moderne duhet ta bëjnë këtë). Bëjeni dhe ju dhe hapini rrugë së ardhmes, duke iu referuar vlerave të vetëqeverisjes dhe bashkëpunimit reciprok. Dhe ata serbë që do të pëlqenin të vizitonin manastiret dhe vende të tjera historike në Kosovë, mund ta bëjnë kurdoherë këtë, ashtu sikurse gjermanët etnikë vizitojnë shpesh vendet e tyre historike në Poloni, në Republikën Çeke dhe në Hungari, pa formuluar dhe as nënkuptuar deklarata tendencioze ndaj këtyre kombeve për shkak të lidhjeve të vjetra të tyre historike. Serbia është një komb krenar. Duket se ka një të ardhme të shkëlqyer përpara. Mos e lejoni të kaluarën t‘ua vjedhë atë.