E Diel, 1 Nëntor 2026

Reforma e Planifikimit Urban, skema për të gjithë vendin

Në takimin mes Kryeministrit Berisha, përfaqësuesve të qeverisë dhe Shoqatës së Ndërtuesve janë prezantuar konceptet bazë për reformimin e Sistemit të Planifikimit Urban. Kryeministri Sali Berisha tha se projekti për Sistemin e Planifikimit Urban duhet të miratohet shumë shpejt në qeveri, më pas të kalojë në Kuvend dhe menjëherë të fillojë zbatimi i tij, me qëllim që të vendosen rregullat në administrimin e asaj që ka më të çmuar territorin, për t‘i dhënë fund këtij kaosi. "Planifikimi urban duhet të jetë i detyrueshëm, nëse ne duam të kemi një proces transparent, të përgjegjshëm, jo kaotik", u shpreh Berisha. Ekspertët thanë se objektivi i projektit për Sistemin e Planifikimit Urban, synon që të japë në mënyrë të përmbledhur një skemë, se si sistemi i planifikimit dhe menaxhimit urban në Shqipëri, mund të organizohet. Sipas ekspertëve, planifikimi urban në Shqipëri dhe sistemi ekzistues, reflekton në një masë të konsiderueshme trashëgiminë e pakët që vendi ynë ka në planifikim, i cili nuk i shërben në realitet qeverisë dhe vendimmarrjes për të planifikuar veprimet e saj dhe të aktorëve të tjerë. Të pranishëm në takim ishin edhe përfaqësues të kabinetit qeveritar, ministrat Sokol Olldashi si dhe Bujar Nishani, përfaqësues të qarqeve, bashkive, komunave, si dhe përfaqësues të grupeve të interesit. Sipas këshilltarit të Kryeministrit, Flamur Kuçit, planet urbane të hartuara deri tani nuk kanë shërbyer për të orientuar investimet publike në infrastrukturë dhe ato private në zhvillim. "Një tjetër problem që ka sistemi ekzistues është fakti që nuk ka përballuar ritmet e larta ndërtimore dhe nevojat e popullatës për strehim dhe shërbime, pasi edhe kur ka pasur nisma planifikuese, ato nuk kanë qenë të integruara me njëra-tjetrën, nuk janë zbatuar në projeksione realiste, por kanë akomoduar interesa të fragmentuara të çastit", tha Kuçi. Sipas tij, Sistemi i Planifikimit Urban është dokumenti bazë që udhëheq zhvillimin e territorit në Shqipëri. "Plani i përgjithshëm hapësinor është i një natyre strategjike dhe kjo do të thotë që qeveria qendrore planifikon në mënyrë të integruar hapësirën, veprimet dhe buxhetet e saj në nivel kombëtar", nënvizoi ai. Këshilltari i Kryeministrit u shpreh se këto projeksione do të ndihmojnë jo vetëm qeverisjen qendrore, por edhe atë rajonale, të planifikojë më mirë nevojat afatshkurtra, afatmesme dhe afatgjata mbi bazë rajonale, gjithashtu ky plan përcakton edhe zonat mjedisore që kërkojnë mbrojtje. Në projektin e Sistemit të Planifikimit Urban përllogariten edhe projeksionet e nevojave kombëtare për konsum energjie, burimet e saj, nevojat e tanishme dhe të perspektivës me ujë të pijshëm, trajtimin e mbetjeve urbane, si dhe drejtimet kryesore ekonomike të vendit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›