E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi, "Qytetar Nderi i Prishtinës"

Kuvendi Komunal i Prishtinës, në mbledhjen e tij të rregullt, të kryesuar nga kryetari Isa Mustafa, njëzëri ka marrë vendimin që Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi, të shpallet "Qytetar Nderi" i kryeqytetit të Kosovës dhe njëkohësisht e dekoroi atë me Medaljen e Artë - Hyjnesha në Fron. Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, do ta vizitojë Kosovën nga data 25 deri më 27 janar të këtij viti dhe me atë rast do të ketë një takim edhe me kryetarin e Prishtinës, dr. Isa Mustafën. Po ashtu, asamblistët e Kuvendit Komunal të Prishtinës, në mbledhjen e dytë, kanë miratuar edhe propozim-vendimin e kryetarit Mustafa për shpalljen e konkursit për pozitën e shefit të Departamentit të Administratës dhe të Personelit, si dhe propozim-vendimin për caktimin e komisionit intervistues për pozitën e shefit të Departamentit të Administratës dhe të Personelit. Këshilltarët e pajtuan edhe me formimin e komisionit intervistues për pozitën e shefit të këtij departamenti, në përbërje të të cilit janë: Sami Hamiti nga LDK-ja, Fisnik Dobra nga AKR-ja dhe Hamide Latifi nga shoqëria civile. Ndërkaq, kryetari Mustafa i informoi këshilltarët komunalë me emrat e ushtruesve të detyrës së drejtorëve të drejtorive komunale, të paraparë sipas nenit 29, pika 29.1 e Rregullores nr. 2007/30. Ushtrues detyre i drejtorit të Drejtoratit të Shëndetësisë dhe të Mirëqenies Sociale, kryetari Mustafa ka emëruar Ndue Kalajn, u.d. të drejtorit të Drejtoratit të Arsimit dhe të Kulturës është emëruar Rrustem Buzhala, për u.d. të Drejtorit të Drejtoratit të Financave, Ekonomisë dhe Zhvillimit është emëruar Agim Dibrani, për u.d. të drejtorit të Drejtoratit të Planifikimit Urban, Kadastrit dhe Mbrojtjes se Mjedisit, kryetari Mustafa ka emëruar Behxhet Musliun, për u.d. të drejtorit të Drejtoratit për Mbrojtje Civile dhe Emergjencë është emëruar Avdi Paçarada, për u.d. të drejtorit të Drejtoratit për Shërbime Publike dhe Transport është emëruar Ridvan Shahini, ndërsa u.d . i drejtorit të Drejtoratit të Inspeksionit është emëruar Ahmet Frangu. Gjithashtu Asambleja Komunale e Prishtinës, në takimin e sotëm, ka caktuar edhe grupin punues për ndryshimin e Statutit të Komunës, të dt. 16.3.2001. Kryetari Mustafa para këshilltarëve të Asamblesë Komunale ka prezantuar edhe përbërjen e kabinetit të tij. Anëtarët e kabinetit të kryetarit Mustafa janë: Arben Gashi, magjistër i zhvillimit lokal; Abdullah Hoti, ekonomist; Florina Jerliu, arkitekte, si dhe Asdren Osaj, ekonomist dhe gazetar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›